Teuta ka më tepër mundësi për të shkur në grupet e Conference League nisur nga shorti më i lehtë sesa Laçi. Nëse kurbinasit do t’i duhen që të përballen me Anderleht dhe Vitesse për të shkuar në grupe, nga ana tjetër durrsakët duhet të kalojnë Shamrock dhe me shumë gjasa Flora Tallin, për të shkruar historinë.
Në letër është Teuta që vlen më tepër sesa rivali i ardhshëm, irlandezët. Por kjo nuk do të thotë se ndeshja do të jetë e lehtë, përkundrazi, duhet të djersitet shumë për të arritur kualifikimin. Lojtari më i mirë i kundërshtarit është 22-vjeçari, Liam Scales. Për këtë mbrojtës kanë shfaqur interesime skuadra nga “Premier League” dhe Celtic. Megjithatë te Shamrock kanë garantuar se lojtari do të luajë të dyja ndeshjet me Teutën.
Ndërkohë trajneri i Shamrock, Stephen Bradley, e ka vlerësuar ekipin shqiptar. “Ne kemi parë shumë ndeshje të Teutës. Lojtarët tanë kanë parë shumë ndeshje prej tyre dhe e dinë se janë të rrezikshëm. Kanë lojtarë shumë të mirë teknikë në pjesën e sulmuesëve. Shumë lëvizje dhe lojtarë me cilësi të lartë. Por ne dimë shumë për ta, e dimë se do të jetë e vështirë. Megjithatë po e presim me padurim ndeshjen. Futbollistët kanë besim dhe do të kërkojmë maksimumin. Në këtë nivel të Europës janë ndeshje të vështira. Kjo është ajo që presim”, ka thënë Bradley. /Sport Ekspres/