Menaxheri shkodran që solli edhe Pakultin sqaron lajmin e publikuar në media për afrimin e Shahnerit në Shqipëri
Në fillim të këtij viti bëri bujë ardhja e austriakut Peter Pakult te Kukësi, një trajner me emër dhe karrierë të pasur, i cili natyrisht nuk duhet ta ketë pasur të lehtë të zgjidhte Shqipërinë për të punuar. Në fakt, arsyeja madhore që ndikoi në këtë “martesë” ishte menaxheri i FIFA-s Marjan Prela. Ai jeton prej vitesh në Austri dhe ka njohje të shumta në ambientin sportiv të këtij shteti. Pikërisht ky menaxher e ka bindur trajnerin Pakultin të vijë tek Kukësi, ndërsa tani duket se edhe një emër tjetër i madh i futbollit austriak, Valter Shahner, mund të vijë në Superiore. Rruga u hap, sinjal se futbolli shqiptar nuk është më aq i vogël dhe pa vlerë sa mendojmë. Por, si është e vërteta mbi zërat e bisedimeve mes Shahner dhe Partizanit? Sport Ekspres ka kontaktuar zotin Prela, i cili zbulon se trajneri austriak është në bisedime me një klub shqiptar, por jo Partizanin!
– Zoti Prela, në Shqipëri nuk jeni fort i njohur, por në Austri keni lidhje shumë të forta.
– E vërtetë, kam vite që jetoj e punoj në Austri, por lidhjet me Shqipërinë nuk i kam shkëputur. Vij shpesh në Shqipëri dhe shoh me kënaqësi që vendi është zhvilluar shumë, në çdo drejtim.
– Po në futboll?
– Natyrisht, edhe në futboll dhe sidomos në futboll. Nuk ka nevojë të flas për arritjet e kombëtares, sepse bëhem përsëritës duke qenë se njerëzit i dinë mirë, por për kampionatin shqiptar, nivelin, infratrukturën, pagesat dhe profesionalizmin, futbolli shqiptar ndryshon si nata me dita me një dekadë më parë, për shembull.
– Keni sjellë Pakult te Kukësi, ishte e vështirë?
– Shikoni, futbolli shqiptar dhe Shqipëria në përgjithësi kanë pasur një imazh shumë keq në Austri, në përgjithësi. Kjo vjen për arsye që dihen, vuajtjet e viteve ’90, pasqyrimi negativ në media, lufta civile e vitit 1997, varfëria ekstreme, e të tjera. Për këtë arsye, pengesa më e madhe me Pakultin ishte pikërisht kjo gjë, imazhi negativ në mendje. I thashë: “Eja, 1 orë rrugë është me avion deri në Tiranë. E shohim dhe pastaj vendosim”. Më pas, Pakult u befasua nga Shqipëria dhe i pëlqeu shumë. Edhe shumë austriakë të tjerë kur janë larguar kanë kërkuar të kthehen.
– Përmendët lidhjen me Shqipërinë, a keni kryer transferime të rëndësishme me ndonjë lojtar shqiptar?
– Indrit Fortuzin në vitin 1995 e çova tek Austria Salcburg. Ishte një futbollist klasi, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në Austri. Qëndroi pak kohë në Salcburg, nuk u përshtat, ndoshta ndikoi edhe gjuha gjermane dhe mentaliteti, iku shpejt, edhe pse shkëlqeu në disa miqësore. Hamdi Salihin gjithashtu e çova unë në Austri, ku ka punuar me Pakultin. Kur e panë vëzhguesit e Salcburgut nga afër, në një ndeshje kampionati, Salihi nuk u duk për shumë minuta dhe më thanë: “Nuk po duket fare”. U thashë të kishin durim dhe në minutën e 85-ta a diçka e tillë një kros në zonë, Salihi me kokë dhe gol. U thashë: “E patë? Ishte Salihi”. “OK – më thanë -, na duhet për 90 minuta në Austri, jo për një prekje topi, por do ta rregullojmë”. Salihi shkoi dhe u përmirësua jashtëzakonisht si futbollist në Austri, u bë lojtar klasi, sepse talentin e kishte të jashtëzakonshëm.
– Po Valter Shahner, është e vërtetë që po bisedon me Partizanin, si raportojnë mediat në Austri, duke marrë edhe ju si burim?
– Në fakt ka një keqkuptim. Unë kam pranuar se po bisedoj me një klub shqiptar të rëndësishëm për Shahner, por nuk u kam thënë austriakëve që bëhet fjalë për Partizanin, nuk e di nga ka dalë emri i klubit, por nuk është Partizani. Kaq mund të them për momentin, natyrisht, sepse nuk mund të zbuloj emër klubi në një kohë që skuadra është në aktivitet dhe e ka trajnerin në drejtim.