Kombëtarja U-21 ka nisur këtë të diel grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21 ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë paraqitur sot në grumbullim, ndërkohë që grupi kompletohet nesër para se skuadra të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore.
Ndërkaq, Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka pasur një ndryshim të fundit ne listën e ekipit Kombëtar U-21. Duke qenë se Adrian Bajrami kaloi nga 21-vjeçarët te Kombëtarja A, atëherë trajneri Alban Bushi ka vendosur të thërrasë futbollistin e Lecco-s në Itali, Erdis Kraja.
Lojtari do të bashkohet me skuadrën të hënën teksa për të është një rikthim te kuqezinjtë, pasi ka luajtur edhe më parë me ekipet Kombëtarë të moshave U-17 dhe U-21. Sa i përket pjesës tjetër të grupit nuk ka asnjë ndryshime dhe përgatitjet po shkojnë sipas programit. Ekipit kombëtar U-21 luan këtë muaj dy ndeshje eliminatore në Kampionatin Europian U-21, Shqipëri – Republika Çeke (25 mars 2022, ora 19:00, “Elbasan Arena”) dhe Shqipëri – Angli (29 mars 2022, ora 20:45, “Elbasan Arena”).