Surpriza e madhe e grupit A të Kategorisë së Parë këtë sezon kanë qenë Egnatia e vendit të dytë dhe Tërbuni i vendit të katërt.
Skuadra pukjane meriton një përgëzim të veçantë, sepse operon me vështirësi financiare e me stërvitje larg Pukës, ndërsa në verë gjithçka nisi thuajse nga zero. Pas një fillimi të vështirë, Tërbuni ka gjetur ritmin perfekt dhe nuk humbet prej kohësh, ndërsa ka fituar 3 ndeshjet e fundit, duke u ngjitur ndjeshëm në renditje dhe duke synuar ta mbyllë sezonin e rregullt në gjashtëshen e parë, çka do të ishte sukses i madh.
Shqetësimi i drejtuesve për momentin, përveç faktit se u duhet të mbajnë në skuadër titullarët më të rëndësishëm. Disa nga lojtarët kryesorë kanë oferta më të mira financiare dhe në janar duhet shumë kujdes, sepse nuk është e lehtë të zëvendësohen titullarët.
Ndërkaq, bie në sy se te Tërbuni mungon një golashënues i veçantë, sepse asnjë futbollist nuk ka shënuar më shumë se dy gola. Shtatë lojtarë kanë gjetur golin deri tani në kampionat, me Saliajn, Shabën dhe Takun që kanë shënuar dy gola secili, ndërsa nuk ka shënuar ende Valdan Nimani, futbollist me shumë eksperiencë dhe aftësi shumë të mira sulmuese, duke shkëlqyer edhe në Superiore.
Në këtë mënyrë, Tërbuni do të luftojë në dy fronte në janar: të ruajë titullarët dhe mundësisht të gjejë ndonjë sulmues cilësor dhe të lirë në treg.