Humbja e thellë 5-0 në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës ka futur në krizë Seviljen, me drejtuesit e klubit që janë tërbuar me të gjithë, duke nisur nga trajneri Vinçenco Montela. Ky i fundit pas ndeshjes iku për në Milano, duke i dhënë dy ditë pushim skuadrës, vendim që nuk është pëlqyer aspak në Andaluzi, pasi drejtuesit e Seviljes prisnin një reagim ndryshe për humbjen e turpshme në kupë.
Një takim urgjent zhvilluar mbrëmjen e së martës nga bordi drejtues ka prodhuar lajme të bujshme: drejtori sportiv Oskar Arias do të largohet në fund të sezonit, duke u konsideruar fajtor për sezonin e dobët të Seviljes. Arias e mori këtë post para një viti, kur u largua i famshmi Monçi, i cili kaloi te Roma.
Ndërkaq, Montela është konfirmuar deri në verë, por drejtori i ri sportiv do ta vendosë fatin e tij, edhe pse ka kontratë deri në vitin 2019.