“Serbi i mirë është serbi i….”! Këto fjalë dhe thirrje të forta dëgjohen dhe oshëtijnë shpeshherë në Air Albania dhe stadiumet e tjera në Europë ku luan Shqipëria. Një urrejtje e madhe e bazuar nga e kaluara për Serbinë(me të drejtë), e atij niveli sa edhe në Europianin e Gjermanisë kur ndesheshim kundër Spanjës, Kroacisë dhe Italisë, familjaret e serbëve ishin ndër më të kërkuarat në listën e dëshirave të tifozëve shqiptarëve.
Madje aq shumë, sa edhe kur u luajt ndeshja Shqipëri-Serbi, nuk ishte më e njëjta atmosferë si më parë, tifozët ishin lodhur dhe kishin nevojë për pak pushim. Por që jo çdo person që vjen nga një shtet i caktuar duhet të paragjykohet për shkak të prejardhjes së tij, këtë na e tregon më së miri Gozdenovic.
Në pjesën më të madhe të rasteve të gjithë kanë një prerje, origjina është shumë përcaktuese. Por raste si ai i Gozdenovic është një dëshmi e gjallë që gjithmonë ka vend për përjashtime dhe në çdo moment duhet me patjetër që ta njohim një person, përpara se të dalim në një përfundim për të.
Kur Gozdenovic shkoi te Elbasani, tifozët e Elbasanit u ngritën në këmbë dhe kërkuan largimin e tij për shkak të prejardhjes. Dhe sa keq! Sa keq që ishte Gozdenovic që e pësoi një gjë të tillë, i fundit për nga radha, teksa shumë trajnerë te Partizani dhe gjetkë që nuk ishin as sa gjysma e Gozdenovic, në çdo aspekt, merrnin dhe linin postet pa asnjë lloj shqetësimi. Për fatin e tyre, nuk ishin te Elbasani.
Gozdenovic? është tërësisht një prerje tjetër nga serbët normalë. Marrëdhënia e tij me mediat, me njerëzit, me lojtarët, me shqiptarët në tërësi, nota 10. Vjen në Shqipëri prej vitesh për të punuar dhe e flet gjuhën shqipe më mirë sesa disa shqiptarë që emigrojnë në Greqi dhe pas dy vitesh ndryshojnë të folurën, për të treguar modernizimin e tyre në pak kohë, flasin me krenari për yjnitë greke.
Jo vetëm që nuk njihet për ndonjë skandal racizimi apo rast që të tregojë mbi anën nga vjen karshi shqiptarëve, por ka cilësi më të mëdha njerëzore se shumë trajnerë shqiptarë që punojnë në tokën tonë. Dhe rezultatet, po i buzëqeshin. Elbasani i tij ndodhet në vendin e parë me 1 pikë më shumë se Egnatia dhe gati dy muaj pa humbur, në një kampionat anormal ku një skuadër që fiton sot, nesër është e pamundur që të barazojë, pasi do të humbasë. Pra dhe fati po mbështet një njeri i cili është gjithmonë i qeshur dhe nuk di të thotë kurrë jo. Gozdenovic, serbi ndryshe në Shqipëri… /Sport Ekspres/