Senad Lekaj rikthehet te Tërbuni

0

Mesfushori, një nga futbollistët më të dashur në Pukë, është vënë dje nën urdhrat e trajnerit Kreshnik Krepi

Gani Pema

Tërbuni po stërvitet në Shkodër nën drejtimin e trajnerit Krepi prej më shumë se 3 javësh, ndërkohë që ka zhvillime për sa i takon merkatos, pasi ditën e djeshme nën urdhrat e trajneri Kreshnik Krepi është vënë lojtari polivalent, Senad Lekaj. 27-vjeçari vjet e nisi sezonin te Besëlidhja dhe u aktivizua në 19 ndeshje (17 titullar). Gjatë aventurës së tij me lezhjanët ai shënoi edhe dy gola, ndërkohë që u pozicionua në shumë ndeshje si mbrojtës i djathtë, duke lënë repartin e mesfushës, aty ku ai ka luajtur zakonisht. Karriera e tij ka nisur në Shkodër, për t’u huazuar te Ada e Velipojës dhe më pas në Kosovë te Trepça. Lekaj është aktivizuar gjithashtu te skuadra e Burrelit dhe te Veleçiku, ndërkohë që në sezonin 2014-2015 ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, duke kontribuar në ngjitjen e Tërbunit në Superiore për herë të parë në histori. Pas aventurës në Pukë, ku është edhe nga lojtarët më të dashur të tifozëve, Leka luajti me Kastriotin dhe para disa ditësh ka marrë lejekalimin nga Besëlidhja dhe tashmë mund të nënshkruajë në çdo ekip që interesohet për shërbimet e tij.

PEPA
Lojtarët shprehen optimistë për nisjen e kampionatit, edhe pse ndeshjen e parë ata do ta kenë në transfertë, por duket se diçka e tillë nuk i tremb. Mesfushori Vahedin Pepa, i cili tani është pjesë e ekipit të Tërbunit, shprehet për gazetën: “Ndihem i lumtur që jam bërë pjesë e ekipit të Tërbunit. Pavarësisht se sezonin e kaluar ekipi nuk bëri një paraqitje të mirë, jam i bindur që këtë sezon do të jetë ekipi që do të shkëlqejë më së shumti. Ne po stërvitemi fort dhe mund te them se lojtaret që kanë firmosur me Tërbunin kanë krijuar një ekip shumë solid. Ka në përbërje lojtarë me eksperiencë dhe shumë cilësor. Nuk i trembemi asnjë ekipi dhe do vijojmë të qetë përgatitjet dhe do të mendojmë vetëm për synimet e klubit. Ndeshjen e parë e kemi kundër ekipit të Besëlidhjes,që e vlerësojmë shumë, por jam shumë i bindur se ne do ia arrijmë të marrim një rezultat pozitiv”.

Gani Pema

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.