Për të ndërtuar një ekip të suksesshëm në gjendje për të përmbushur objektivat jo gjithmonë duhet hedhur vështrimi te aktorët në fushën e lojës. Shpesh herë ato që kanë në duar fatet e skuadrës janë mentaliteti dhe strategjitë e kupolës drejtuese. Dy pika këto ku në jo pak raste futbolli shqiptar çalon ndjeshëm.
Përpos mungesës së planeve afatgjata, doza e lartë e entuziasmit është “sëmundja“ që prek lehtë shqiptarët. “Sëmundje” simptomat e të cilës i ka shfaqur këtë sezon edhe Dinamo me Egnatian. Dy klube kampione në grupet respektive në Kategorinë e Parë sezonin e shkuar dhe që vinin në elitë me një investim model. Një presidencë e re, imazh i kuruar, afrim i lojtarëve cilësorë, të gjitha këto karakteristika të bëjnë të besosh në një projekt serioz.
Sigurisht që fjalët e mira nuk munguan as nga opinioni sportiv, por kaq duket se ka mjaftuar për të hedhur hapin e gabuar. Të paduruar për të pritur që investimi të japë frytet e veta në kohën e duhur, Dinamo dhe Egnatia “infektohen” nga entuziasmi dhe nxitohen duke vendosur objektivat e gabuar.
“Nëndetësja” e kryeqytetit vjen me një mision të vështirë, teksa nga ngjitja në elitë sezonin e shkuar hyn në garë për titullin kampion. Por shpejt e kuptojnë se hendeku në mes është i madh dhe detyrohen të bëjnë prapakthehu për të tentuar thjesht Europën. Mjafton të shohim përballjet me kundërshtarët direkt për titull për të kuptuar se stofi i kampionit mund të mbetet vetëm një ëndërr. 4 gola të pësuar nga Tirana, 6 nga Vllaznia dhe 5 të tjerë nga Laçi nuk të japin aspak shpresë për një objektiv madhor. Ndoshta gjërat nga tani e tutje duhen gjykuar me më tepër gjakftohtësi në mënyrë që suksesi të vijë gradualisht.
E njëjta situatë edhe me Egnatiën, që i mjaftuan pak javë për të shkarkuar Gugash Maganin. Një trajner që e njeh mirë klubin dhe që ishte një hallkë e rëndësishme në suksesin e sezonit të shkuar, por edhe në paraqitjet pozitive të këtij edicioni të “Abissnet Superiore”-s. Fundja të dalësh me pikë nga pretendentët e titullit kampion nuk është pak. Për më tepër, çfarë mund të kërkohet më shumë nga trajneri i ri? Futbolli shqiptar duket se e ka të vështirë të mos preket nga “sëmundja” e entuziasmit që më pas të rrëmben për të marrë objektiva të nxituara, por nëse nuk mund të shmangim “infektimin” atëherë duhet të mësojmë ta kurojmë./Sport Ekspres/