Në barazimin e Laçit ndaj izraelitëve të Hapoel Ber Sheva mjaft vendimtar ishte edhe Gentian Selmani. Portieri bëri disa pritje deçizive, duke e mbajtur në lojë ekipin e tij. Pas ndeshjes ai duket jo i kënaqur nga rezultati. Thotë se zhvilluan një lojë më të mirë.
Te rasti i golit sqaron se nuk kishte hapësirën e duhur për të parë. Në lidhje me përplasjen, ku ngeli i dëmtuar shprehet se nuk ka probleme në kokë. Ka dhimbje në dorë, por nuk e sheh si një problem që do e mbajë jashtë fushës ndeshjen e kthimit në Izrael, që është pas një jave.
“Ishte për të ardhur keq që nuk fituam, pasi bëmë një ndeshje shumë të mirë. Në momentin e golit nuk kisha pamje të qartë dhe prandaj nuk pata mundësi për të reaguar. E dinim që do ishte e vështirë. Ber Sheva është një ekip shumë cilësor. Janë të zotë në qarkullimin e topit dhe kjo gjë na lodhi shumë. Mendoj se luajtëm shumë mirë, pse jo mos të bëjmë diçka në ndeshjen e kthimit”.
DËMTIMI NË DORË – “Futbolli i ka këto. Ishte një shkelm i fortë në dorë. Për momentin po ndjej dhimbje, por nuk besoj se do të jetë problem për javën tjetër. Megjithatë të shohim përgjigjen e analizave”.