Seleksionimi i Kombëtares U-19, Cungu: Elementë cilësorë, mund të na ndihmojnë në të ardhmen

Prej fillimit të vitit stafet e ekipeve Kombëtare të moshave kuqezi kanë organizuar dhe zhvilluar disa seleksionime e grumbullime me të futbollistë që luajnë në kampionatin vendas e jo vetëm.

Ditën e sotme, ka qenë radha e ekipit Kombëtar U-19 për të zbritur në fushë dhe për të zhvilluar seleksionimin e parë këtë vit me lojtarë të kampionatit shqiptar të vitlindjes 2004. Rreth 30 futbollistë kanë qenë sot nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu dhe stafit shqiptar, të cilët kanë testuar lojtarët e grumbulluar, duke zhvilluar fillimisht stërvitje, e më pas edhe një ndeshje kontrolli, me futbollistët e ndarë në dy ekipe, të cilët kanë pasur mundësi të tregonin cilësitë e tyre.

Kuqezinjtë e vegjël kanë qenë edhe më parë pjesë e seleksionimeve dhe grumbullimeve të ekipeve zinxhir të moshave. Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, trajneri Cungu e vlerëson këtë mundësi për të kontrolluar gjendjen e lojtarëve ndërsa thekson se kjo datëlindje ka lojtarë me cilësi, të cilët mund të ndihmojnë në të ardhmen edhe Kombëtaren e madhe.

Qëllimi i këtij seleksionimi – Siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, është një moment ku kemi mundësi dhe kohën e duhur për të parë nivelin apo gjendjen e çdo sportisti në këtë fillim viti. Normalisht që fokusi kryesor është te seleksionimi i lojtarëve të kampionatit shqiptar, me të cilët vitin e kaluar ka punuar trajneri Ardi Behari, i cili ka bërë një punë shumë të mirë. Natyrshëm që tani vjen edhe momenti për të kaluar tek U-19 ku do të shohim gjendjen reale të tyre, duke sjellë herë pas here edhe lojtarët që vijnë nga jashtë Shqipërisë për t’i parë e për t’i kontrolluar sepse numri është shumë i konsiderueshëm dhe këto janë momentet më të mira edhe për ne si staf për t’i pasur para syve për t’i vlerësuar.

A ka kjo datëlindje elemente cilësore dhe potencial për të ardhmen? – Çdo datëlindje ka individët e saj, ka lojtarë me kualitete të mira, ka lojtarë që aderojnë në kampionatet jashtë vendit tonë, por edhe në vendin tonë ka futbollistë me cilësi shumë të mira. Jam i bindur, që ashtu si me 2003 që bëmë paraqitje shumë të mira, jam i bindur që edhe kjo datëlindje ka potencialet e veta dhe ka lojtarë që mund të ndihmojë nesër në ekipin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *