Intervistë “lumë” e trajnerit të Skënderbeut: “Arritja në Europë, sepse menduam hap pas hapi. Do të donim të kishim më shumë pushime, por s’kemi çfarë të bëjmë. Titull, kupa dhe Europa, nuk lëshojmë asgjë”
Leonard Trebicka
Duket i lodhur, por edhe i qetë… Nuk ishte e lehtë, sigurisht, edhe pse ai dhe Skënderbeu ia dolën. Në grupet e Europa League, mes ekipeve prestigjioze, por edhe tre transferta (Serbi, Kiev dhe Zvicër) që do të marrin shumë energji. Megjithatë, entuziazmi se është bërë diçka e madhe është benzina e Ilir Dajës dhe të tijëve. Pikërisht për “Sport Ekspres”, trajneri përpiqet që të bëjë një përmbledhje të asaj që përjetoi këto muaj të verës, duke pasur në horizont kampionatin që do të nisë së shpejti, aty ku objektivi është rikthimi te kurora…
-Daja, në Korçë për startin e sezonit të ri. Keni dy javë në dispozicion për këtë fillim. Të mjaftueshme, apo duheshin më shumë edhe për t’u ç’lodhur nga stresi i akumuluar përgjatë kësaj periudhe ku kishit ndeshje me ritëm dhe emocione?
Them se të pamjaftueshëm për të filluar, sepse nuk kemi bërë pushime që në datën 6 qershor. Ishim në fillim në fazën përgatitore në Slloveni dhe më pas luajtëm edhe në katër turet e para të Europa League dhe ishte një rrugë e gjatë. Për mua këto dy javë të pamjaftueshme për futbollistët, sepse mbajtën një ngarkesë të madhe duhet të pushonin pak, por nuk kemi ç’të bëjmë.
-Atmosfera e kalimit në grupe duket se ka kaluar me atë se janë mësuar edhe kundërshtarët. E kishit menduar realisht që do të shkonit kaq gjatë?
Të them të drejtën jam nga ata trajnerë që i marr ndeshjet hap pas hapi dhe nuk caktoj objektiva afatgjatë. Ç’do ndeshje ekipi përforcohej mirë dhe ndeshje i barabartë edhe me ata kundërshtarë që mendoheshin se ishin më lart se ne. Kjo na dha shumë besim që do kalonim më tej dhe ja ku jemi sot në fazën e grupeve të Europa League.
-Jeni te Skënderbeu pak më shumë se 6 muaj dhe arritët këto suksese. E kishit parashikuar të ndodhte kaq shpejt?
Vetë objektivat e klubit janë madhore. Besoj që kemi bërë mirë edhe në kampionat, sepse kemi grumbulluar që nga janari dhe deri në fund të sezonit të kaluar më shumë pikë se ç’do skuadër tjetër. Besoj shumë te grupi i lojtarëve, sepse nëse nuk do besoja nuk do të isha në stolin e Skënderbeut. Të gjitha këto rezultojnë që kam bërë zgjedhjen e duhur në ekipin e duhur.
-Me kë do ta ndanit këtë sukses historik, sepse është i pari për karrierën tuaj në stol?
Përveç familjes time që ka qenë suporti që kam drejtuar, do ta ndaja në fakt këtë sukses ashtu si edhe u nda. Që përveçse bëmë të lumtur tifozët e një qytetit të tërë si Korça, u nda edhe me ata që na mbështetën në këtë rrugëtim të gjatë për të mbërritur te ky sukses që arritëm.
-Cili është sekreti i punës tuaj?
Investim prej 22 vitesh në fushën e trajnimit, pasioni dhe dashuria për punën si në ditën e parë.
-Tani do të duhet të mendoni për tre kompeticionet: Superligën, Europën, por edhe kupën e Shqipërisë. Të paktën deri në dhjetor Skënderbeu do të luajë ndeshje pafund…
Kjo në fakt ka anën e mirë dhe pjesën jo të mirë të ngarkesës. Ana e mirë, pasi ekipi do të jetë në tonus, sepse objektivat në kampionat do të jenë që të jetë sërish në elitë. Duhet që këtë që bëmë deri tani ta vazhdojmë në cilësinë e lojës dhe tjetra pozitive është që në tre kompeticionet që do të luajmë do të kemi rotacion, sigurisht pa humbur cilësi dhe rezultat e cila do të kënaqte gjithë grupin. Ana tjetër është ngarkesa dhe faza e rikuperimit që në fakt është problem më vete, sepse në botë ka stafe të specializuara mjekësore që bëjnë gati për 2-3 ndeshje në javë lojtarët, pa prishur rendimentin e tyre.
-Nga fusha në merkato, aty ku vjen Sahiti. Do të ketë emra të tjerë deri më 31 gusht?
Kam biseduar me presidentin Ardian Takaj dhe kemi bërë një projekt se ku do të përforcohemi. Personalisht mendoj që duhet të përforcohemi, sepse kemi shumë ndeshje në të tre kompeticionet. Por ajo që vazhdoj të them është se duhet të jenë lojtarë cilësore. Kemi nevojë vetëm për lojtarë që bëjnë diferencën me këta që kemi dhe jo të jenë më poshtë.
-Po lojtarë që do të largohen nga Skënderbeu do të ketë?
Tashmë dihet që Skënderbeu ka edhe shumë lojtarë të rinj në ballkan apo edhe në Europë që janë huazuar. Këtë do ta bëjmë edhe me të emra të rinj që kemi në mënyrë që Skënderbeu të mos mendojë vetëm për sukseset sot për sot, por edhe për nesër.
-Sa e dëmton tani këtë Skënderbe shitja e Latifit?
E dëmton po aq sa i bën edhe mirë. Latifi ishte një kualitet në kampionatin shqiptar, por që u shit në momentin e duhur, sepse misionin te Skënderbeu e kreu më së miri. Shitja e tij solli të ardhura financiare për klubin, si një garanci për vazhdimësinë e Skënderbeut dhe kjo është edhe për meritë të menaxhimit. Kështu ndodhi më parë edhe Berishën, Olainkën, apo edhe Zekën dhe të tjerë që e kanë radhën.
-Premion e kualifikimit thatë që do ta ndaje me Osmanin. Do ta mbani fjalën?
Besoj që do ta mbaj fjalën, sepse edhe Tefik Osmani jam i bindur që do ta mbajë fjalën.
-Ndeshja e parë në Korçë ndaj Flamurtarit. Sa e vështirë do të jetë për Dajën të motivojë të tijtë, pas gjithë këtyre sukseseve të mëdha?
Nuk mendoj që do të jetë e vështirë t’i motivoj lojtarët, sepse ata që unë drejtoj e kanë të qartë, që gjithë suksesi vjen nga ajo që kanë bërë në kampionat.
-Po për tifozëve korçarë dhe jo vetëm, keni gjë për t’u thënë?
Do të thoja që kanë suport të madh tifozët korçarë gjatë gjithë kampionatit. Por, me atë që kemi bërë, kemi shtuar numrin me tifozë të tjerë që na respektojnë për atë që kemi bërë. Kjo sigurisht që është një arritje më vete.
-Kur filluat ndeshjen e parë të Europa League, sigurisht që askush nuk besonte që Skënderbeu do të shkonte kaq larg. Sot që jeni në grupet, mendoni se mund të shkoni edhe më tej?
Të them të drejtën, që nga janari e deri tani, sot (dje) është dita e parë që unë pushoj dhe tani po kthehem sërish në Korçë pas të vetme dite pushimi. Nga nesër (sot) do të marr material për ekipet kundërshtare. Sigurisht edhe Flamurtari është në qendër të vëmendjes dhe po mbledh material edhe për vlonjatët pavarësisht se janë një skuadër që kanë bërë shumë ndryshime. Sa për ndeshjet europiane, për takimin e parë në Kiev ndaj Dinamos vendase ka material të bollshëm për ta studiuar. Për të dhënë përgjigjen e saktë do të jenë ditët në vazhdim ato që do të tregojnë se ç’farë do të bëjmë.
-Cili kundërshtar në grupet është më i vështiri dhe cilin mendoni se edhe mund ta ndalni?
Është ai i Dinamos së Kievit më i vështiri dhe kaq mund të them, pasi na duhet të mendojmë që në këtë moment vetëm për Flamurtarin.
-Së fundi, Skënderbeu i këtij sezoni të ri që starton më 9 shtator do të jetë më i fortë se ai i vitit të kaluar?
Besoj që do të jetë vazhdimësia e 7 viteve të fundit, por që do të jetë më i fortë apo jo, le ta gjykojmë në vazhdimësi.