Sedorf: Donaruma, qëndro te Milani se do e pësosh!

Ish-mesfushori holandez, mesazh portierit të talentuar: “Ke kohë të provosh kampionate të tjera, mos harro si përfunduan Kaka dhe Sheveçenko. Maldini e ndërtoi karrierën me vlera”

Ish-mesfushori dhe trajneri i Milanit, Klarens Sedorf, ka folur për situatën në shtëpinë kuqezi: “Ishte një nder i madh që u zgjodha si shoqëruesi i holandezëve të vërtetë si ambasador i futbollit mes dy vendeve duke qenë se kam jetuar 16 vjet në Holandë dhe 17 në Itali. Donaruma? Unë jam nga krahu i gjërave të duhura dhe të drejta dhe besoj që e mira për djaloshin është që të ketë vazhdimësi në skuadrën që e ka hedhur në fushë dhe i ka dhënë mundësi. Besoj se do të ketë një të ardhme të ndritur.

Nuk duhet të nxitohet kurrsesi dhe besoj se një djalosh 18-vjeçar duhet të bazohet në vlera të tjera që t’i japin mundësi që të ndërtojë një karrierë si ajo e Maldinit. Nuk mund të bësh 25 vjet karrierë nëse në bazë nuk ka vlera shumë të forta. S’është çështje mirënjohje, as parash. Paratë, në këtë pikë, s’janë problemi. Shpresoj që Raiola të kuptojë që djaloshi duhet të rritet në një ambient që e njeh sepse çdo vit është histori më vete. Shpresoj për Donarumën dhe milanistët që mund të vazhdohet në klubin ku është edhe rritur dhe i është dhënë mundësia të luajë dhe të zhvillojë 4-5 vjet me këtë fanellë”.

Më pas, Sedorf ka komentuar edhe fjalët e Berluskonit, që  u shpreh se “me mua Donaruma do të kishte qëndruar”. “Eshtë diçka që s’do ta dimë kurrë, ndaj s’ia vlen ta diskutojmë. Gjëja më e rëndësishme është që klubi, për atë që kam kuptuar, ka treguar se dëshiron ta mbajë me çdo kusht. Zgjedhja i takon djaloshit, nuk ka pse të nxitohet, sepse ka shumë shembuj si Kaka apo Sheva, që kur ishin kuqezi kanë fituar gjithçka dhe më pas, kur janë larguar, janë penduar. Te Milani, kur ndihesh mirë, duhet të mendohesh gjatë përpara se të ndërrosh ekip. Donaruma ka kohë përpara se të shijojë kampionate të tjera”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *