Klarens Sedorf nuk është se po bën mirë si trajner, por gjithsesi për holandezin ofertat nuk mungojnë. Së fundmi ai drejtoi në Spanjë Deportivo La Korunjën dhe tashmë është i lirë. Ish-mesfushori ka një karrierë të pasur si lojtar dhe tanimë i ofrohet mundësia të drejtojë një kombëtare.
Sipas “Foot Mercato”, pista e Zven Goran Erikson për të drejtuar Kamerunin ka rënë. Sedorf është i pari në listë dhe në krah të tij mund të jetë një tjetër ish-milanist: Patrik Klajvert. Dështimi për t’u kualifikuar në “Rusi 2018” nuk është kapërdirë mirë te Kameruni, që kërkon tanimë të bëjë ndryshime në stafin teknik.
Sedorf në të shkuarën ka drejtuar skuadrën e Milanit në Serinë A, ndërkohë që ka punuar edhe në Kinë. Shenzhen është klubi me të cilin ka bashkëpunuar holandezi. Më parë holandezi ka biseduar edhe me Shqipërinë, por FSHF zgjodhi Kristian Panuçin, sigurisht edhe për shkak të aspektit financiar.