Çelsi mori një nga humbjet më turpëruese të historisë pasditen e sotme, teksa Siti e shpartalloi me shifrat tenistike 6-0. Pas ndeshjes, Mauricio Sarri ka folur për mediat, ku dukej krejtësisht i zhgënjyer. Numri një i pankinës së bluve, ka folur mbi ndeshjen si dhe mbi të ardhmen e tij në ekip.
“Për momentin nuk jam i aftë për të shpjeguar. Gjatë javës kisha ndjesi të mira, duke parë dhe stërvitjen. Mbase goli që pësuam vetëm pas tre minutash, na e bëri lojën e vështirë. Ishte e vështirë gjithashtu dhe për t’i mbyllur hapësirat kundër tyre. Ishim në telashe, nuk jam në gjendje ta kuptoj.
Bëmë shumë gabime ndaj kundërshtarit të gabuar. Ata luajtën një futboll fantastik dhe ne bëmë shumë gabime. Kërkuam t’i bënim presing që në fillim, por plani ynë u shkatërrua për vetëm tre minuta, pasi u ndëshkuam.
Mendoj se diferenca më e madhe mes dy ekipeve është intensiteti i presingut. Ata presuan gjithë kohës, ndërkohë ne nuk u treguam të aftë për ta bërë diçka të tillë. Nuk ishim të aftë për të reaguar në mënyrën e duhur dhe për të qëndruar në lojë.
Për momentin kemi një problem të madh kur luajmë jashtë. Në fillim të sezonit ishim më të fortë në transfertë, por kjo gjë ka ndryshuar krejtësisht kohët e fundit. Na duhet të kuptojmë se çfarë po bëjmë. Nëse do të ketë ndonjë vendim për të ardhmen time, është diçka që i takon klubit.”