Kemi dëgjuar shpesh se lojtarët afrikanë që luajnë në Superiore kanë probleme të pajisen me vizë në shtetet ku skuadrat e tyre zhvillojnë fazën përgatitore. Problemet e dokumentacionit mbeten të zakonshme në Shqipëri, megjithatë nuk do ta kishim menduar kurrë se Aleksis Sançez nuk do të zhvillonte fazën përgatitore me ekipin e Mançester Junajtid për mungesë vize.
Sulmuesi i anglezëve nuk e mori vizën amerikane për shkak të një dënimi të pranuar këtë vit prej 16 muajsh për mashtrim me taksat në Spanjë. Kjo e detyron atë që të mos hyjë në SHBA, pasi sipas ligjit amerikan një person i dënuar nuk mund të marrë vizë amerikane. Avokatët e tij po punojnë që ta zgjidhin këtë çështje, sepse Sançez u dënua, por nuk kishte asnjë precedent dhe nuk do të kryejë asnjë ditë burg në Spanjë, duke e konvertuar dënimin në gjobë.
Ekipi i Mançester United me Zhoze Murinjon ka mbërritur në SHBA. Një tjetër mungesë e ekipit të “Djajve të kuq” është Dalej Blind, i cili sapo është shitur tek Ajaksi për shifrën e 15.8 milionë paundve. Një rikthim në bazë për mbrojtësin holandez, që nuk kaloi një eksperiencë shumë të mirë në Angli. Marrëveshja u mbyll mbrëmjen e djeshme.