Aleksis Sançez është futbollist i Mançester Junajtid, tashmë kjo gjë nuk përbën më ndonjë lajm të bujshëm, pasi është bërë praktikisht e kryer prej ditësh, por shifrat që po qarkullojnë në media në lidhje me të ardhurat e kilianit janë impresionuese.
400.000 paund në javë, rreth 19 milionë në vit, është një pagë e frikshme, me 100 milionë paund që do të shkojnë në llogarinë bankare të sulmuesit, në 4,5 vitet e ardhshme që do të qëndrojë në Mançester.
Problem? Mançester Junajtid ka vetëm një dhe ai nuk është si të gjejë paratë, sepse ka plot.
Tani Junajtid duhet të bëjë llogaritë me Pol Pogbanë dhe “peshkaqenin” Mino Raiola, sepse 24-vjeçari francez ka edhe 3 vite në kontratë dhe ka një pagë goxha më të ulët se Sançez.
Pogba merr aktualisht 200.000 paund në javë, që do të thotë se paga e tij është sa gjysma e asaj të Sançezit. Diçka e papranueshme për të dhe Raiolën, ndaj në vazhdim do të shohim ndonjë telenovelë të re në Mançester. Të paktën kështu raporton The Mirror, që shkruan se mesfushori francez së shpejti do t’i kërkojë klubit rritje page, mbështetur edhe nga Raiola, i cili mbulon interesant e armenit Mkitarjan dhe jo vetëm që e largoi fantazistin me një bonus të konsiderueshëm për prishje kontrate, por gjithashtu duket se ka përfshirë në marrëveshje edhe rishikimin e kontratës së Pogbasë.