Salillari del hapur: Tomorin e çoj në Europë!

Biznesmeni i njohur tregon të vërtetën e kërkesës në Bashkinë e Beratit për të blerë klubin me asetet. Synimet janë madhore, duke filluar që nga infrastruktura dhe akademia…

Edi Spahiu

Duke qenë se aktualisht Berati “zien” pas një lajmi që qarkullon prej disa ditëve në lidhje me një afrim të mundshëm të biznesmenit të njohur të ndërtimit Pëllumb Salillari, “Sport Ekspres” kontaktoi direkt me biznesmenin e njohur. Ai e ka pranuar edhe vetë se zyrtarisht i kërkon Bashkisë Berat nëpërmjet një kërkese të çuar në adresë të klubit futbolli, për të nisur sa më parë procedurat e privatizimit të Tomorit. Këtë të fundit, ai kërkon ta blej 100% dhe pret tashmë fjalën ose lëvizjen e Bashkisë. Por, që privatizimi të marrë “jetë” dhe ai vetë të nis procesin, ka shfaqur me të drejtë edhe një kërkesë paraprake dhe mëse të drejtë, të njihet zyrtarisht me asetet e klubit. Kjo, për të shmangur një “kleçkë ” të trajtuar më parë nga “Sport Ekspres”, pasi, duhet që Bashkia të hedh në privatizim edhe ish-fushën e stadiumit të vjetër, pa të cilën biznesmeni Salillari nuk nis procedurat e privatizimit. Pritet reagimi zyrtar i Bashkisë, ndërsa një afrim i mundshëm i këtij biznesmeni pranë Tomorit, do të thotë pa asnjë dyshim që kjo skuadër të rikthehet në majat e futbollit shqiptar, për të synuar pse jo edhe Evropën…

– Përshëndetje z. Salillari. A mund të flasim për “Sport Ekspres” në lidhje me një projekt tuajin për sportin dhe futbollin më konkretisht?

Padyshim që është një kënaqësi e imja e veçantë, që të komunikoj me ju dhe një gazetë të njohur dhe të vjetër në tregun sportiv si “Sport Ekspres”.

– Atëherë, le të futemi drejt e në temë. Sa të vërtetë janë zërat në lidhje me një interesim tuajin në lidhje me privatizimin e klubit të futbolli Tomori?

Për sa kohë ekziston si i vërtetë lajmi zyrtar nga ana e Bashkisë Berat për nxjerrjen në shitje të aksioneve të plota 100% të klubit të futbollit, aq edhe i vërtetë është interesimi im për të qenë një kandidaturë e parë për të blerë këto aksione, dhe detyrimisht edhe të jem në krye të presidencës së Tomorit.

– Mund të na thoni më konkretisht, si lindi kjo dëshirë e juaja për të shpërndarë biznesin tuaj të njohur dhe të suksesshëm edhe tek futbolli. A keni bërë një kërkesë zyrtare në baski ashtu sikur se edhe përflitet?!

Po siç dihet dhe ju më njihni mirë, unë jam një qytetar beratas që jam i lidhur me pasionet e mia të hershme të rinisë sime, si për sa i përket futbollit ashtu edhe për sportet e tjerë të traditës. Besoj se për brezin e artë të Tomorit të gjithë ruajnë nostalgji. Por, pse të mos rikthejmë edhe një herë periudhën e artë si të kohës së yjeve të njohur me trajner Guxim Muklin, apo edhe periudhën kur Tomori ka dalë nënkampion i vendit. Kanë mbetur thellë në kujtesën e gjithë qytetarëve beratas dhe më gjerë. E pikërisht, për këtë arsye unë vij për të kërkuar privatizimin e Tomorit, dhe duke ju përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, mund të pohoj se është plotësisht e vërtetë, që në zyrat e klubit tashmë ka mbërritur kërkesa ime zyrtare për privatizim. Kërkesa përmban pak a shumë një skicë ide në lidhje me privatizimi, por që si hap i dytë po qe se gjithçka do të realizohet, projekti im do të jetë i detajuar në imtësi për gjithë platformën e rikthimit të Tomorit në majat e futbollit shqiptar, kuptohet pasi të privatizohet.

– Po pse, ju keni dyshim për sa i përket konkretizimit të kërkesës dhe projektit tuaj!

Jo, aspak nuk kam dyshim, por më duhet të them se unë tashmë kam hedhur hapin tim të parë, dhe “topi” tani është në fushën e Bashkisë. Që do të thotë se unë jam njeri vërtetë i biznesit, por funksionojmë mbi bazën e ligjeve të shtetit shqiptar, duke i respektuar në maksimum ato. Pra, unë mbi bazën e ligjit, kam kryer lëvizjen time të parë duke ju prezantuar zyrtarisht klubit me një kërkesë. Po kështu mund të veprojnë edhe firma të tjera homologe, porse unë deri këtu jam, duke shprehur dëshirën për bashkëpunim dhe prezantoj publikisht të kërkesës për të privatizuar klubin. Tashmë është Bashkia që nëpërmjet klubit studion ofertën e paraqitur dhe kthen dhe përgjigje për të hapur bisedimet nëpërmjet proceduarave ligjore. Por, më parë Bashkia duhet që të vlerësoj jo vetëm situatën ku ndodhet aktualisht futbolli beratas, por edhe të bëj publik disa nga kushtet që ajo afron sipas procedurave në privatizim.

– Këtë javë rifillon kampionati dhe Tomori luan në Berat me Turbinën. Do jeni në stadium?!

Unë ju falënderoj juve dhe gazetën “Sport Ekspres” për mundësinë që më dhatë, duke dhënë disa shpjegime të domosdoshme siç është rasti i aseteve të klubit që ende nuk janë publike. Por edhe për të argumentuar disa shqetësime që kanë persona të caktuar brenda ose jashtë këtij procesi në lidhje me të ardhmen e futbollistëve beratas. Por, ju premtoj se bashkëpunimi im me ju dhe mediat sportive në përgjithësi do të jetë shumë i hapur dhe në kontakte të vazhdueshme. Sigurisht që do të kemi shumë për të folur mbi bazën e dinamikës së ngjarjeve për procesin e privatizimit…Shumë shpejt do të jem në stadium…

“Nuk e marr Tomorin, po nuk u  përfshi fusha e vjetër si aset”

“As më pak dhe as më shumë, që duhen bërë publike pronat e klubit dhe cilat janë këto asete që përfshihen në privatizimin e klubit. Sepse unë deri më tani kam parë që të trajtohet nëpërmjet “Sport Ekspres” çështja e ish-stadiumit të vjetër në Berat, që është realisht jo vetëm një aset shumë i rëndësishëm i klubit, por edhe se nuk po e dëgjoj gjëkundi dhe as të shkruar, që ky impiant do të përfshihet në privatizim. Qëndrimi im për këtë rast në rast se doni të dini dhe informoni opinionin futbolldashës beratas, është se po nuk u përfshi fusha e vjetër në privatizim, unë nuk mund të futem në këtë proces. Ajo fushë ka një vlerë të dyfishtë, jo vetëm se aty është historia mbi 70-vjeçare e futbollit beratas. Por, në projektin tim dhe të çdo biznesmeni tjetër kandidat për privatizimin e klubit, gjithë problemi është që me një stadium me përmasa olimpike që unë do ta bëj një nga më modernët në Shqipëri, kurrsesi s’mund të ketë funksionin e një fushe stërvitore si deri më tani. Fusha e vjetër që do të ketë një investim model, do të shërbejë për stërvitjen e Tomorit, dhe bëhet fjalë për Tomorin që nën drejtimin tim do të jetë një tjetër funksioni sepse do të synoj çdo sezon Kupat e Evropës. Unë dëgjoj të flitet për kthimin e stadiumit të vjetër në një qendër multifunksionale rinore, por unë me shumë dashamirësi do t’i sugjeroja Bashkisë, që ky projekt mund të ndërtohet kudo, por nuk duhet të ngrihet mbi një fushë futbolli. Unë nuk mund t’i futem kësaj pune pa pasur fushën e ish-stadiumit të vjetër të kopsitur në procesin e privatizimit. Fusha është aset i klubit”.

 

“Trajner të huaj dhe Akademi futbolli për beratasit”

“Është kryekëput një naivitet të mendohet kështu, dhe kjo për sa kohë që në projektin tim është drejtimi i skuadrës nga një grup profesionistësh të njohur. Pse jo, në krye të tyre të ketë edhe një trajner të huaj. Kjo me siguri që e “kanalizon” punën mbi baza krejt profesioniste dhe skuadrën e ngre në një nivel bashkëkohor. Kjo besoj duhet të kënaq të gjithë pa përjashtim që Tomori ynë do të jetë më pranë futbollit të vërtetë profesionist. Në këtë kuadër, mund të them me siguri dhe garanci të plotë, se çdo futbollist aktual beratas ose jo i tillë, po qe se do të jetë më pranë kërkesave të futbollit profesionist dhe niveli i tij bind stafin, as që bëhet fjalë që të përçmohet. Sepse ne kërkojmë funksionimin e një skuadre ku i talentuari të jetë pjesë e Tomorit dhe të paaftët të hapin krahun sipas kërkesave të stafit teknik. Ndërsa për perspektivën e të ardhmen e futbollit beratas, në planet e mia është ndërtimi i një Akademie futbolli, ku në të cilën do të punojnë trajnerët më të mirë profesionistë beratas dhe jo të tillë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *