Salihi: Skënderbeu fiton në fushë dhe në…CAS!

Sulmuesi shkodran: Kartoni i grisur? Nuk do ta bëja më, as vetë nuk e di çfarë më ndodhi. Uroj të kap Bundesligën. Ja dëshmia ime me Skype!

Anton Cicani

Me gjuhën e golave. Ashtu si i ka pëlqyer gjithmonë. Hamdi Salihi ka shënuar 19 gola në Austri, me Vjener Nojshtad, teksa një sy e ka edhe në Shqipëri, sidomos te Skënderbeu. Episodi i kartonit të grisur është harruar disi, ndërsa pak ditë më parë edhe në Komisionin e Apelit në UEFA. Ja intervista e tij për “Sport Ekspres”:
Në radhë të parë, si po shkon sezoni në Austri? 19 golat e realizuar me Viener Nojshtad dhe objektivi duket se nuk është arritur, pra play-off i Bundesligës ose ngjitja direkte?
Besoj se ka qenë një sezon mjaft i mirë për mua personalisht. Jemi që javën e parë të kampionatit në vendet e para të renditjes. Shpresoj që ta arrijmë në fund objektivin kryesor që kemi, sepse do të ishte mëkat, nëse nuk do ta arrijmë.
Jeni golashënuesi i dytë më i mirë, me 1 gol me pak se sulmuesi i Riedit dhe keni shënuar dyfishin e golave të sezonit të fundit shqiptar. Duket se po kalon një rini të dytë në Austri
Jam stërvitur dhe jam munduar që të paraqitem sa më mirë, duke parë edhe pritshmëritë e larta që klubi kishte ndaj meje. Më vjen mirë që nuk i kam zhgënjyer dhe më vjen mirë që vazhdoj të shënoj me të njëjtën rregullsi si gjithmonë.
Të kthehemi pak te lamtumira juaj nga Shqipëria. Ndikoi ndeshja e fundit ndaj Kukësit dhe humbja e titullit, apo e kishe planifikuar prej kohësh?
Absolutisht jo. Të them të drejtën, e kisha menduar shumë kohë përpara se do të largohesha nga Shqipëria. Por, për arsye nga më të ndryshmet dhe më shumë për raportin që kisha krijuar me drejtuesit e ekipit, vazhdova aq gjatë, duke vendosur për të mos u larguar më herët. Le të themi që ndeshja kundër Kukësit i vuri kapakun largimit tim.
Këtë javë luhet Skënderbeu-Kukësi dhe nëse do të ktheje kohën një vit mbrapa, do ta ribëje atë gjest me kartonin e grisur?
Më vjen keq për atë që ka ndodhur dhe jo vetëm nuk besoj që do ta bëj, por nganjëherë nuk më besohet se e kam bërë unë…
E megjithatë, edhe sot ju quajnë hero në Korçë, sepse u revoltove ndaj një padrejtësie në mënyrën më demonstrative. Dhe, sot Jorgji gjykon ende në Shqipëri
Do të kisha pasur qejf që në Korçë dhe në Shqipëri të kujtohem për gjëra të tjera shumë më të bukura dhe më me vlerë se ai veprim. Prandaj, nuk dua ta komentoj më shumë, thjesht më vjen keq.
Sigurisht që në Shqipëri të mbajnë mend për super golat që ke shënuar dhe modestinë e përhershme. Do ta ndjekësh sfidën dhe mendon se Skënderbeu do të fitojë?
Do ta ndjek, patjetër. Skënderbeu po kalon një formë shumë të mirë dhe kam besim se do ta fitojë takimin me Kukësin.
Titulli për Skënderbeun është thjesht çështje matematikore, por në një tjetër garë po luftohet fort, ajo në CAS. Ju ishit i ftuar për të dëshmuar në Apel, mund të na thuash më shumë?
Kam shumë besim se edhe atë betejë Skënderbeu do të arrijë ta fitojë. Nuk e di sa kohë do të zgjasë, por jam i bindur se e vërteta do të fitojë në fund.
Pse avokati të kishte kërkuar edhe ty dhe a shkove personalisht të dëshmoje, apo nëpërmjet Skype?
Avokati i Skënderbeut kishte kërkuar që të dëshmonin pjesa më e madhe e lojtarëve që kanë marrë pjesë në ndeshjet e asaj periudhe për të vërtetuar që nuk ka pasur asnjë tolerim. Unë dhe një pjesë e lojtarëve që nuk jemi më pjesë e Skënderbeut kemi dëshmuar me anë të Skype për këtë gjë.
Si e sheh gjithë këtë histori duke qenë se njolloset futbolli shqiptar dhe në Austri a të kanë pyetur?
Nuk është aspak mirë që të diskutohet e aq më tepër të dënohet një ekip futbolli për ato gjëra. Në Austri nuk më ka pyetur njeri dhe nuk e kam diskutuar këtë gjë.
Mendon se Skënderbeu ose ndonjë nga ish-shokët e ekipit mund të ketë trukuar ndonjë ndeshje?
Jo, personalisht nuk besoj se ndonjë ish-shok e ekipit e ka bërë diçka të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *