Falë golave të Hamdi Salihit, Viner Nojshtati është kthyer në garë edhe për ngjitje direkte në Bundesligë, pas një periudhe jo të mirë në lojë e rezultate.
Sot skuadra vjeneze fitoi 2-1 ndaj Kapfenbergut, ku luan ish-sulmuesi i Kukësit, braziliani Rangel.
Nisi mirë ndeshja për miqtë, që shënuan që në minutën e gjashtë, por cilësia e Nojshtatit doli në pah me kalimin e kohs.
Salihi barazoi në minutën e 17-të dhe Ebenhofer siguroi fitoren në minutën e 59-të.
Më pas Salihi pati dy raste shumë të mira, njëri prej tyre i humbur në mënyrë të pafalshme për të, sepse i vetëm me portierin gjuajti jashtë me kokë. Në shtesë Salihi u zëvendësua, për të fituar pak sekonda.
Gjithsesi, Nojshtati mori tre pikë të arta dhe ka përfituar nga frenimi i Hartbergut në shtëpi, sepse barazimi 2-2 ndaj Blau-Vajs Linz ka bërë që tashmë Hartberg të jetë vetëm dy pikë mbi Nojshtatin dhe javën e ardhshme luhet një takim direkt Ried-Hartberg, nga i cili mund të përfitojë skuadra e Salihit.
Kur kanë mbetur edhe 3 javë deri në mbyllje, shkodrani tashmë ka shkuar në kuotën e 21 golave në 30 ndeshje, duke u konfirmuar një lojtar vendimtar, aq sa 10 herë ka shënuar golin e parë të takimit për ekipin e vet.