Hamdi Salihi është sinonim i golit, sepse kudo që të shkojë, shënon pa fund dhe tani po shkëlqen në futbollin austriak me Viner Nojshtadt, skuadër me të cilën po lufton për t’u ngjitur në elitë. Në lidhje me “Zona Gol” në Supersport mbrëmjen e djeshme, sulmuesi shkodran foli për aventurën austriake dhe analizoi edhe Kategorinë Superiore, duke theksuar se Skënderbeu nuk do të gabojë më në garën drejt titullit.
“Do të jetë e vështirë për rivalët, sepse përveç startit të gabuar, ata po vonohen për ta kapur Skënderbeun. Vazhdojnë të kenë probleme dhe shumë shpejt do e pranojnë edhe ata fatin e tyre për këtë vit”,.
Në Austri, jeta dhe karriera e Salihit po ecin mjaft mirë: “E dija që do të ndihesha mirë për veten dhe familjen, por nuk e kisha parashikuar kaq mirë edhe në aspektin sportiv. Por oreksi vjen duke ngrënë dhe çdo javë që kalonte ishim të bindur se do të bënim diçka të mirë. Tani jemi pretendentë kryesorë dhe në rrugë të mbarë për t’u ngjitur në kategorinë e parë. Këtë herë ngjiten tre ekipe, dy direkt dhe një me play off. Shansi është që edhe nëse nuk e mbyll në vendin e parë, je në rregull edhe me vendin e dytë”.
Për Salihin Tirana e Vllaznia mbeten në zemër, por në një rikthim hipotetik për të ndihmuar një prej ish-skuadrave të tij, do të zgjidhte të ndihmonte Vllazninë, që po vuan prej vitesh.
“Situata me Tiranën? Janë pak më ndryshe. Rithimi i Tiranës është i domosdoshëm, ndërsa kalimi ynë në elitë do të ishte një mrekulli me buxhetin që ka ekipi dhe me rivalët e kampionatit. Situatat ndryshojnë, por është gjithmonë shumë e vështirë, mbi të gjitha kur je ekip i vogël dhe ku nuk ka ekzistuar mentaliteti i fituesit. Këtë po arrijmë ta bëjmë mjaft mirë. Do të ishte ëndërr ta fitoja një titull me Vllazninë, do të kishte qenë diçka shumë e madhe. Ndërsa Tirana besoj që do të organizohet shumë shpejt dhe e shoh konkurruese. Për këtë arsye nëse hipotetikisht do të kisha zgjedhur një skuadër shqiptare për të luajtur dhe ta ndihmoja, do të thosha Vllazninë”.
Diferencat mes futbollit austriak dhe atij shqiptar: “Diferenca me kampionatin shqiptar është organizimi dhe serioziteti i çdo klubi. Pastaj infrastruktura bën një diferencë të madhe në futboll. Në kampionatin tonë kemi shumë talente apo lojtarë të mirë, por nuk kemi skuadra të mirorganizuara. Këtu me pak talente organizohen mjaft mirë, kanë disiplinë dhe taktikë dhe kjo e bën futbollin më konkurues dhe më të vështirë”.