Profesori i Karlo Ançelotit, njeriu i cili i ka mësuar shumë gjëra për futbollin kur ka punuar me të te Milani, Arrigo Saki, ka befasuar me deklaratën e tij më të fundit. Ai mendon se skuadra e Bajernit nuk ka entuziazëm dhe pjesërisht është fajtor Karlo. Saki, madje, ka guxuar të thotë se ndryshimet do t’i bënin mirë Bajernit, pra largimi i 58-vjeçarit.
“I shoh të gjitha ndeshjet e Bajernit dhe kam përshtypjen se entuziazmi i skuadrës ka humbur. Ançeloti fajtor? Epo, kur je duke u plakur, e humb pasionin dhe vullnetin. Kjo është jeta”, është shprehur Saki për mediet gjermane. Deklaratë e fortë, apo jo? Arjen Roben, në fundjavë, kur u pyet se çfarë bëri Ançeloti për të sjellë në formë skuadrën, u përgjigj: “Asgjë të veçantë”. Pra, duket qartë se lojtarët kanë diçka me trajnerin e tyre.
Saki ka vijuar me analizën e tij. “Lojtarët e Bajernit po shfaqin mungesë përqendrimi në mbrojtje. Kjo nuk duhet të ndodhë në skuadrat e mëdha. Mbase atyre u duhet ndryshim, kjo do t’u bënte mirë. Ançeloti, megjithatë, ka qenë i suksesshëm kudo. Më gjeni një trajner të sotëm, i cili ka fituar tri herë Ligën e Kampionëve”.