Testet para fillimit të kampionatit në Greqi kanë sjellë golin e parë të Suad Sahitit me fanellën e AEL Larisës. Sulmuesi i krahut, i huazuar gjatë kësaj vere te klubi i Superligës greke nga Skënderbeu, ishte vendimtar në barazimin 1-1 përballë Arisit të Selanikut.
Miqësorja e luajtur në stadiumin “Kleanthis Vikelidis” ishte edhe një derbi shqiptar, pasi Sahiti luajti përballë mesfushorit të Kombëtares, Migjen Basha. Të dy futbollistët e nisën ndeshjen si titullar, me Arisin që kaloi në avantazh pas penalltisë së realizuar nga Nazlidis në fundin e pjesës së parë.
Në minutën e 62-të të takimit, Suad Sahiti riktheu barazpeshën, duke të evituar humbjen e ekipit të tij, me një rrjetë që ka edhe vlera simbolike: ai ishte goli i parë i AEL Larisës për këtë vit, ndërsa ishte edhe goli i parë i pësuar nga Arisi, pas katër ndeshjeve në Holandë, ku e mbajtën portën të paprekur.
Migjen Basha qëndroi përgjatë gjithë 90-minutëshit në fushën e lojës, ndërsa vetëm pak çaste pas golit të shënuar, Sahiti u zëvendësua, me stafin teknik që testoi shumë lojtarë. Lojtari i përfaqësueses së Kosovës është kthyer në titullar në ekipin e ri dhe prej tij pritet një sezon si protagonist në Superligën greke.