Sadiku, gol dhe ofendime në shqip: Isha i zemëruar me të gjithë!

Armando Sadiku shkoi në Zvicër këtë janar për t’u kthyer ai i zakonshmi, pas dëmtimit të rëndë në Spanjë, por deri tani nuk i ka ecur. Pak minuta, shumë pak herë titullar dhe nervozizëm ekstrem, për një situatë të padurueshme për një futboll të mësuar me fushën dhe golin.

Sot Lugano barazoi në Bazel he Sadiku shënoi një gol të mrekullueshëm, me një goditje perfekte nga 25 metra, ndërsa pas golit nuk festoi, por duke parë nga stoli nisi të shante në shqip, me “libër shpie”, si i thonë fjalës.

Pas ndeshjes sulmuesi i kombëtares sonë shpjegoi për radiotelevizionin zviceran: “Unë jam i tillë, isha i zemëruar me të gjithë, pa përjashtim. Shava në shqip, sepse jam me nerva me të gjithë, edhe me gazetarët, edhe me veten time.

“Unë jam profesionist, po punoj shumë për t’u kthyer në maksimum pas dëmtimit tim. Pranoj zgjedhjet e trajnerit, bëj maksimumin kur luaj. Jam i kënaqur, por jo dhe aq për objektivin që kam, për të arritur sa më lart në karrierë”.

Trajneri i Luganos, Fabio Celestini, reagoi: “Nëse e ka inatin me mua dhe shënon, aq më mirë! Shpresoj të tërbohet çdo të diel, atëherë. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Armandon, pastaj bëj disa zgjedhje. Ndonjëherë luan ai, ndonjëherë të tjerët, kështu funksionon për të gjithë. Megjithatë, i kërkoj të bëjë gjithnjë atë që bëri sot dhe për këtë jam i kënaqur“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *