Sadiku gëzon Panuçin, pritet kalimi te 4-1-4-1!

Në Strumica, kuqezinjtë do të jenë më të kujdesshëm, teksa në mesfushë pritet të kthehet titullar Kukeli. Gjimshiti, në duel  me Ajetin për një vend, ndërsa Llullaku duhet të spostohet në krah

Anton Cicani

Armando Sadiku do të jetë gati për sfidën e 5 Shtatorit në Maqedoni. Ky është lajmi më i rëndësishëm që vjen nga Kombëtarja shqiptare, pas suksesit 2-0 me Lihtenshtajnin. Stafi mjekësor konfirmoi se sulmuesi është drejt rehabilitimit në masën 99 për qind dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së martës së ardhshme në Strumicë. Gjendja e Sadikut ka ardhur drejt përmirësimit dhe zgjedhja e stafit teknik që 25-vjeçari të mos luante ndaj kundërshtarit modest për ta pasur në dispozicion në atë që cilësohet dueli më i rëndësishëm i Shqipërisë në këto kualifikuese, ka rezultuar i drejtë.

Edhe ndaj Lihtenshtejnit, nëse s’do të ishte gjetur rruga e rrjetës, Armando Sadiku do të bëhej gati për të luajtur në 20 minutat e fundit, por ishte Roshi dhe Agolli ata që ia kursyen këtë sakrificë bomberit, që tashmë ndaj Maqedonisë është gati 100%.

Skema – Panuçi pritet që të luajë me skemën e njohur të De Biazit, 4-1-4-1, teksa këtë herë Kukeli mund të luajë përpara mbrojtjes, ku vendin e Ajetit mund ta marrë Gjimshiti, ndërsa në mesfushë do të konfirmohet Abrashi dhe Memushaj, me Llullakun që mund të spostohet në krah të majtë, ndërsa Roshi sërish nga e djathta, pasi vjen nga goli.

Gjendja – Edhe pse, vetëm sot pasdite Panuçi do të shuajë dyshimet. Ekipi kuqezi është dukur në formën e duhur dhe s’kemi asnjë të dëmtuar apo lojtarë me probleme. Një lajm i bukur ky për trajnerin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *