Shefi i Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige, ka kritikuar futjen e Fair Play-t financiar në futboll, që sipas tij nuk ka asnjë vlerë, për sa kohë UEFA nuk e zbaton.
“Në të vërtetë, u shpik një mjet i mirë kontrolli financiar. Duhej përdorur në mënyrë strikte dhe pa kompromise, që do të thotë: kush shkel rregullat ose bën dredhi, duhet të dënohet, në mënyrë drastike, asnjë tolerim,” tha shefi i Bajernit në një intervistë të gjatë për revistën GQ, që do të botohet në prill. “Për fat të keq, asgjë e tillë nuk ka ndodhur. UEFA është tashmë nën akuzë, sepse nuk ka treguar kurrë kurajën për të vepruar me vendosmëri”.
Për sa i përket të shumëdebatuarit rregull 50+1 në futbollin gjerman, ku nuk lejohet pronar që të ketë shumicën e aksioneve në klubet e futbollit, Rumenige shprehet: “Shpresoj që Liga e Futbollit Gjerman ta fshijë rregullin 50+1. Duhen rregulla për të kontrolluar gjithçka dhe kalimi të bëhet butësisht, por mendoj se çdo klub ka të drejtën të vendosë vetë nëse dëshiron t’u hapë dyert investuesve, sa aksione të shesë dhe kujt t’ia shesë, nëse vendos ta bëjë. Biznesmenët e fuqishëm që duan të investojnë në futboll nuk mund të kufizohen, nëse kanë dëshirën dhe forcën financiare për të investuar fuqishëm në një klub”.
Rumenige është i bindur se e drejta televizive është gjithnjë e më e rëndësishme në futboll dhe të ardhurat do të rriten edhe më shumë: “Pres një rritje të jashtëzakonshme. Lojtarët më të rëndësishëm nuk janë futur ende në lojë. Kompanitë amerikane si Apple, Amazon apo Netflix, janë ende në pritje dhe po studiojnë tregun. Nuk ka rëndësi sa kushton e drejta TV, për këto kompani rëndësi ka që e drejta e transmetimit të jetë ekskluzive dhe që marka e tyre të shpërndahet anembanë botës”.