“Kisha kohë që e kisha menduar këtë gjë dhe po e përgatisja veten, por tani që momenti po afron, kam disa ndjesi të çuditshme, të cilat më mirë do t’i shpjegoj pasi ta kem lënë plotësisht futbollin”, shprehej Hamdi Salihi, i cili luajti ndeshjen e fundit në karrierë. Titullar me Nojshtat dhe mbyllje pa gol. Gjithsesi pa rëndësi ka, shkodrani ka shënuar pafund. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetarin Alban Xhihani në Supersport dhe nis e rrëfehet nga “A”-ja.
KAPËRCIMI TE VLLAZNIA – “E vërteta është se mundësia që unë të futesha dhe të afirmohesha te Vllaznia, erdhi pas një fatkeqësie që pësoi futbolli shkodran, por edhe futbolli shqiptar në përgjithësi, me vrasjen e presidentit të ndjerë, Myftar Çela. Në atë periudhë Vllaznia ishte një ekip shumë i kompletuar dhe i mbipopulluar, ndaj për lojtarët e akademisë ishte i vështirë afirmimi.
Me vdekjen e tij, gjërat u bënë të thjeshta për momentin, pasi u desh që të merren lojtarë nga akademia, për të kaluar atë periudhë të vështirë. Aty ishin edhe fillimet e mia pastaj, ku pata mundësi të shpreh veten dhe mbeta pjesë e ekipit, duke fituar besim dhe duke u rritur hap pas hapi”, tregon Salihi, që nga ky moment do të konsiderohet si ish-sulmues.
PANIONIOS – Paraqitjet e mira te Vllaznia bënë që ta transferohej në Greqi te Panionios, ekipi i vetëm me të cilin nuk ka shënuar dot. “Pas një sezoni të parë me Vllazninë, ku shënova 14 gola, filloi sezoni i dytë, ku kishim një ekip goxha të mirë. Në sezonin e dytë, deri në gjysmë të tij, kisha shënuar 16 gola. Ishte një shifër goxha e mirë për një 19-vjeçar dhe ndaj u realizua kalimi te Panioniosi për një kontratë 3-vjeçare. Gjërat nuk shkuan shumë mirë dhe unë sot mendoj se ndoshta ishte një hap më i shpejtë sesa duhet kalimi te Panioniosi”, shton shkodrani.
TIRANA – “Atëherë Tirana ishte gjysma e kombëtares. Lojtarët e asaj skuadre, si Muka, Sina, Bulku, Rraklli, Pisha, Dede, etj, ishin lojtarë që luanin në Kombëtare dhe për mua ishte vërtetë diçka shumë e madhe të bëja pjesë në atë grup. Erdha me frikë, pas eksperiencës së vështirë te Panioniosi, por me ndihmën e të gjithëve gjërat shkuan thuajse perfekt dhe ecën mjaft mirë. Megjithatë, gjithçka edhe falë atij grupi të mrekullueshëm”, rrëfen Salihi.
KALIMI NË AUSTRI – “Ato 18 muaj te Tirana më kanë ndihmuar shumë që të formohem si lojtar dhe si njeri. Kam parë situata nga më të ndryshmet dhe kam mësuar nga eksperiencat e të tjerëve. Te Riedi ishte diçka e re, me një mentalitet krejt tjetër. Të them të drejtën, kur shkova atje, që ditën e parë dola në stërvitje i vendosur dhe me bindje që këtë herë do t’ia dal dhe nuk do ketë hap mbrapa”.
“Rapid Vjena, skuadra më e madhe me të cilën kam luajtur? Gjatë gjithë periudhës te Riedi, gjithmonë sytë dhe interesi im ishin te Rapidi, që ishte një klub gjigant dhe i jashtëzakonshëm. Aty ishte kënaqësi të luaje edhe si kundërshtar, ndaj e them me plot gojën, që është skuadra dhe arritja ime më e madhe. E them me krenari këtë”.
“Ndeshjet derbi? I kujtoj shumë shpesh dhe ndoshta janë edhe kronikat ose lajmet, duke qenë se shumë herë kam qenë vendimtar nëpër derbi, ndaj vazhdojnë të më kujtojnë. Është diçka shumë speciale të shikosh se si një qytet aq i rregullt, i qetë dhe familjar si Vjena, shndërrohet tërësisht kur vjen dita e derbit”.
EKSPERIENCA NË SHBA DHE KINË – “Është pak e çuditshme, sidomos për një lojtar të transferuar nga Europa. Ka një mentalitet krejt tjetër, sidomos në SHBA, ku mundohen ta interpretojnë futbollin në aspektin spektakolar dhe nuk janë fansa të taktikës, apo të synimit për fitore. Ata duan të argëtojnë spektatorët dhe këta të fundit nuk argëtohen vetëm me fitore, por edhe me spektakël në fushë. Duke e krahasuar edhe me NBA-në, që ka aksione çdo sekondë, ata edhe në futboll duan që të ketë aksione sa më të shumta dhe të shpeshta. Është diçka ndryshe, por kur fillon dhe mësohesh, ka bukurinë e saj edhe ajo gjë”.
“Lëvizjet e shumta, u përshtat familja? Njerëzit e shohin futbollistin vetëm në fushë dhe të gjykojnë për ato 90 minuta, por harrojnë që përtej futbollit, edhe lojtarët kanë një jetë njësoj si të tjerët, me të njëjtat shqetësime, probleme dhe rregulla. Edhe për familjen time ka qenë e vështirë, por gjej rastin që t’i falënderoj, pasi kanë treguar durim dhe kanë sakrifikuar, duke mos më krijuar presion për zgjedhjet e mia sportive”.
SKËNDERBEU – “Sapo kisha përfunduar kontratën me Hapoel Haifa në Izrael dhe duke komunikuar me Shehin, me Osmanin dhe djemtë që kisha shokë te kombëtarja, erdhi ky vendim. Ata ishin në fazë përgatitore në Austri dhe unë isha në Vjenë, ndaj vendosa të stërvitesha për të qenë në formë, por nënshkrova që të luaja në Kupat e Europës. Megjithatë gjërat shkuan aq mirë dhe Skënderbeu më befasoi, pasi ishte një skuadër e organizuar në mënyrë perfekte dhe të rregullt, ndaj vendosa të vijoj”.
“Goli më i rëndësishëm? Unë kohët e fundit jam pyetur shpesh, se cili ka qenë goli më i rëndësishëm, por duke parë se kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa Leagues, ishte diçka historike për futbollin shqiptar, u kam thënë të gjithëve se golat kundër Milsamit janë më të rëndësishëm të karrierës, sepse ishte një moment ku bëmë krenarë dhe zgjuam çdo shqiptar, jo vetëm tifozët e Skënderbeut Golat kundër Milsamit, por edhe goli kundër Norvegjisë, janë ndër më të rëndësishmit në karrierën time”.
“Titulli i parë në Shqipëri? Unë një gjysmë medaljeje e kisha në fakt, pasi u largova në mes të sezonit nga Tirana, e cila në fund fitoi titullin, ndaj thashë ta çoj deri në fund me Skënderbeun. Ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse që në ditën e parë, jam ndjerë mjaft mirë në këtë ekip dhe me çdo njeri që sillet rreth këtij ekipi. Ka qenë si një familje dhe mund të them pa frikë se atë harmoni mes lojtarëve, nuk e kam pasur në asnjë ekip tjetër”.
“Grisja e kartonit të kuq? Është një nga ato ëndrrat e këqija, që i përjeton çdo njeri. Më duket shumë e çuditshme dhe jashtë realitetit veprimi im. Më duket sikur po shikoj një njeri tjetër dhe jo sikur po e bëj unë. Mbas ndeshjes jam penduar dhe kam kërkuar falje, por veprime të tilla nuk justifikohen, por kjo tregon se në futboll shumë herë flasin emocionet e momentit dhe jo mendja e karakteri i personit”.
RIKTHIMI NË AUSTRI – “Kthimi këtu dhe pikërisht te kjo skuadër, ishte diçka perfekte për mua, Pas ndeshjes në Kukës e kisha ndarë mendjen që ta mbyllja në Shqipëri dhe doja të ikja sa më shpejt, pasi skuadra ime ishte në Austri. Nuk u mendova gjatë për ofertën e Nojshtad, pasi është një klub që e kam vetëm 25 kilometra larg shtëpisë dhe mu duk e rëndësishme që të luaja futboll duke ndenjur në shtëpi. Aty gjeta një grup me shumë lojtarë të rinj, mjaft të mirë, që ishin mbledhur me synimin për të shpërthyer. Vitin e kaluar ishim shumë afër ngritjes së skuadrës në Bundesligën e parë, por nuk ia dolëm. Sezoni në aspektin personal ishte shumë mirë, ndërsa edhe unë me klubin, por edhe drejtuesit me mua, ndiheshin mjaft mirë, ndaj vendosëm të zgjatim bashkëpunimin”.
KOMBËTARJA – “Momenti më i mirë? Momenti më i mirë janë kualifikueset për Euro 2016, pasi isha pjesë e ekipit çdo ndeshje, ndonëse nuk luajta shumë. Pavarësisht se shpesh isha në stol, isha shumë i gëzuar sepse shikoja që po realizohej diçka shumë e madhe”.
“Rasti i Gashit në Europian? Ato ishin momente që i kalojnë në mendje çdo lojtari dhe jo një futbollisti që ka qenë pjesë e Kombëtares gjatë gjithë 11 viteve të fundit, pa munguar në asnjë takim. Edhe unë e mendoj shpesh atë gjë dhe sa herë që topi shkonte afër zonës, e shihja veten aty, duke marrë pjesë në aksion, ndaj ka qenë një gjë e sikletshme”.
“Bariç, Kuzhe dhe De Biazi? Bariç ishte personi që më mbushi mendjen që kam aftësi dhe cilësi për më tepër. Lëvizja ime në Austri, i dedikohet edhe atij, pasi ishte Bariç që reklamoi cilësitë e mia dhe vuri në lëvizje klubet austriake.
GOLAT DHE MIKU MË I MIRË – “Dje e kam marrë vesh dhe besoj se është shifër e saktë, që janë 322 gola. Miku më i mirë në futboll? Është shumë e vështirë, pasi kam shumë miq të mirë, por meqë duhet një emër, po them Admir Teli, të cilin e kam pasur prezent nga fillimi i karrierës, deri në fund.
TRAJNERI MË I MIRË DHE I ÇUDITSHËM – “Edhe kjo puna e trajnerëve është shumë e vështirë, pasi kam punuar me trajnerë mjaft të mirë dhe nuk mund t’i ndaj, por për respekt po them për Artan Bushatin, që ngulmoi të më kalonte te ekipi i parë i Vllaznisë. Më i çuditshëm mund të them Peter Pakult, ish trajneri edhe i Kukësit”.
E ARDHMJA – “Këtë vendim nuk e kam marrë sot për nesër, ndaj mund të them se kam menduar shumë edhe për hapat pas kësaj dite. Kemi rënë dakord që të ndihmoj stafin aktual si ndihmës trajner deri në fund të sezonit, ndërsa më pas do të bëj diçka më konkrete. Rruga ime e ardhshme do të jetë ajo e trajningut dhe kam kohë që studioj e mbaj shënime, duke ndjekur disa kurse licencimi. Tani ka ardhur koha që të jem në fushë, më pranë këtij profesioni. Keni një ëndërr ku doni të arrini pas 10-15 vitesh? Po përgatitem për diçka krejt të re dhe kam ëndërr që të arrij si trajner të njëjtat suksese që kam arritur si lojtar”, përfundoi Salihi.