Rroca rrezikon Evropën, të rinjtë në “lupën” e Kostiç

Trajneri slloven vëzhgoi ekipin në një ndeshje kontrolli. Ata që kalojnë testin njoftohen me telefon. Mesfushori spektator në seancën e djeshme

Gëzim Beqiri

Dje ka qenë një ditë e ngjeshur për stafin teknik dhe drejtuesit e ekipit të Luftëtarit. Ardhja e shumë futbollistëve të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e bluzinjve, bën që stafi teknik të mendohet mirë dhe të vendosë për ata lojtarë që vlejnë për gjirokastritët. Janë më shumë se një skuadër të ardhurit e deritanishëm, ndërkohë që dje është paraqitur një tjetër futbollist. Ceka ishte risia dhe kishte ardhur nga ekipi i Apolonisë. Për të qenë sa më objektiv në përzgjedhjen e lojtarëve, dje në orën 16:00 është zhvilluar një ndeshje midis dy skuadrave të improvizuara. Në njërin grup ishin futbollistët e ardhur rishtas, kurse përballë tyre një skuadër e seleksionuar me disa lojtarë “ish” të Luftëtarit dhe disa nga ekipi U-19. Kacorri, Shameti, Andoni, Hyseni, Jusufi, Peza, Haxhis, Bakalli, Rajçeviç, Ujkaj, Kuka dhe Rustemaj kishin përballë ekipin e përbërë nga Shumeli, Puci, Alinani, Zholi, Basha, Boni, K.Shkurtaj, Bocaj, Balla, Janku, R.Pula. Në kushtet e një temperature të lartë, futbollistët në fushë dhanë maksimumin, pasi ishin nën vëzhgimin e stafit teknik. Trajneri Kostiç dhe stafi e tij e kanë ndjekur me shumë përqendrim ndeshjen, si dhe kanë mbajtur edhe shënimet përkatëse për çdo futbollist. E gjitha kjo bëhet që në mënyrë objektive të japin mendimin e tyre dhe të vendosin se kë do të mbajnë ende në vazhdim në stërvitje. Është ende shpejt të përcaktohet se kush do të jenë futbollistët që do të përfaqësojnë Luftëtarin në Europa Ligë dhe në kampionat. Në përfundim të ndeshjes së kontrollit, të gjithë futbollistëve të ardhur rishtas u është marrë numri i telefonit, si dhe njëkohësisht u është bërë me dije se do të njoftohen në ditën më të afërt për qëndrimin ose jo te Luftëtari. Disa prej tyre, përmes familjarëve, kanë kërkuar që në përfundim të ndeshjes një përgjigje zyrtare, por u është bërë me dije se do të vendoset nga stafi teknik për të ardhmen e tyre. Në përfundim të ndeshjes testuese, stafi i trajnerëve ka zhvilluar me pjesën tjetër të futbollistëve një stërvitje. Të pranishëm ishin Ruçi, Qyrani, Ramadani, Lamçja, Liçaj, Aleksi, Rapo, Rapa, V.Shkurtaj, Molla dhe Ziaji.

EDUART RROCA

Mesfushori e ka ndjekur stërvitjen nga tribuna dhe është duke vazhduar terapinë. Sipas tij, është në diskutim gatishmëria e tij për ndeshjet e Europa League. Por nëse Rroca është në diskutim dhe ka ende shpresa, për qendërmbrojtësin serb Jakovljeviç situata është tjetër. Ish-futbollisti i Flamurtarit do të mungojë, pasi pas operimit do t’i duhet të paktën një muaj e gjysmë të kthehet i gatshëm. Largimi nga ekipi i qendërmbrojtësit Orjad Beqiri shtron para drejtuesve detyrën për të gjetur dy mbrojtës të tjerë. Gjithashtu duhet të afrohen edhe sulmues, pasi largimi i Bregut dhe Abazajt ka lënë boshllëk te Luftëtari. Nga emrat e të ardhurve në provë, ta paktë janë ata që do të qëndrojnë, ndaj edhe duhet parë për lojtarë të afirmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online