Luftëtari nuk ka bërë asnjë ditë pushim, por ka vazhduar përgatitjen që ditën e djeshme. Futbollistët që u aktivizuan një ditë më parë ndaj Skënderbeut e zhvilluan stërvitjen të diferencuar, teksa ushtruan disa ushtrime fizike nën drejtimin e Kosta Koltsidas pa ngarkesë të lartë. Pjesa tjetër e futbollistëve është trajnuar nga Hasan Lika. Oltion Rapa dhe Xhekson Ferreira pak minuta janë përgatitur me grupin, pasi pësuan dëmtime në ndeshjen me korçarët. Rapa u detyrua të dilte nga loja që në minutën e shtatë, ndërsa Xhekson në të 75’. Braziliani nuk ka asnjë problem shqetësues dhe do të jetë i gatshëm që në ndeshjen e mesjavës në Laç për Kupën. Ndryshe situata për Rapën, i cili do të pushojë këtë javë. Përpara fillimit të stërvitjes, trajneri Hasan Lika ka zhvilluar një bashkëbisedim me futbollistët, të cilët i ka përgëzuar për fitoren ndaj Skënderbeut. Njëkohësisht ai ka bërë edhe disa vërejtje, sidomos në planin taktik.
RROCA
Që në nisje të sezonit të ri futbollistik, gjirokastritët janë deklaruar se nuk do të tolerojnë në ndeshjet e Kupës, pasi triumfi në këtë trofe apo arritje në finale mund të sjellë pjesëmarrjen në kupat e Europës. Në lidhje me fitoren e fundit me Skënderbeun, si dhe për sfidën e radhës me Laçin, është mesfushorit Eduart Rroca ai që flet për mediat. ”E kishim besimin se mund të fitonim ndaj Skënderbeut dhe e arritëm atë, por misioni ynë nuk mbaron këtu. Nuk ka përfunduar ende gjysma e garës dhe sa më shumë të kalojnë javët, edhe më të vështira do të bëhen ndeshjet për t’i fituar. Do t’i marrim ndeshjet me radhë. Para se të luajnë në Lushnjë, kemi ndeshjen e kupës në Laç. Duhet pranuar se e kemi vlerësuar si çdo ndeshje tjetër të kampionatit. Pas Lushnjës shkojmë në Durrës dhe në Laç përsëri. Kjo do të thotë se kemi katër takime rresht në transfertë. Ndeshja për kupë na Laç do të ketë të njëjtin vlerësim si edhe dje ndaj Skënderbeut”, shprehet Rroca, i cili luan edhe rolin e organizatorit në skuadër.
Më tej ai shton: ”Presim në çdo ndeshje rezultate pozitive. E kemi kapërcyer atë moment jo të mirë të ndeshjeve të para të këtij kampionati dhe nuk është rastësi që kemi pesë ndeshje rresht pa humbur dhe katër fitore radhazi, madje ndaj ekipeve që janë me objektiva madhore në këtë sezon. Fitoret në Kamzë dhe në Kukës, ndaj Partizanit dhe Skënderbeut në Gjirokastër, nuk mund të konsiderohen fitore surprizë. Presim të zhvillojmë ndeshje edhe më të mira. Na duhet pak kohë që të harmonizohen më mirë me ekipin futbollistët e ardhur në merkato. Faza përgatitore në Turqi na shërbeu shumë që të konsolidojmë lojën në grup, ashtu si edhe ditët në vazhdim deri në mbyllje të kampionatit. Nuk mund të shprehem tani se deri ku do të ngjitemi në klasifikim. Oreksi vjen duke ngrënë, por po vazhduam kështu, nuk është çudi që të kapim një nga tre vendet e para të klasifikimit dhe të marrim pjesë në Europë”. Gëzim Beqiri