Rritet besimi në Shkodër, tifozët rikthehen kundër Teutës

Fitorja me Lushnjen ringjalli shpresat te skuadra e Vllaznisë. Rikthimi i Sukajt te goli ka ngacmuar sedrën e shkodranëve. Kërkohet vetëm fitorja me Teutën

Gaspër Marku

Kuqeblutë kanë lënë pas një ndeshje jo pak deliate. 90-minutëshi në transferten e Lushnjes është përjetuar me shumë emocione, jo vetëm nga futbollistët në fushën e lojës, por edhe pjesëtarët e stafit teknik që ishin në pankinë. Të tilla emocione po aq të mëdha kanë pasur edhe drejtuesit e klubit kuqeblu së bashku me kryebashkiaken-presidente, Voltana Ademi, që e ndoqën sfidën Lushnja-Vllaznia nga tribuna e stadiumit Roza Haxhiu. Por, në të njëjtat pozita ishte edhe masa sportdashëse shkodrane që e ndiqte këtë ndeshje përmes ekranit të televizorit. Nuk ishte ndeshja e fundit e kampionatit, si ajo që përjetuan majin e vitit të kaluar në Loro Boriçi përballë Tiranes, ku qëndrimi në kategorinë superiore ishte në fije të perit deri përtej minutës së tetë shtesë. Por, në një farë mënyre përcaktonte shumë fate në lidhje me ecurinë e skuadrës kuqeblu. Një fitore e lushnjarëve, e ngushtonte diferencën e vendasve në dy pikë me Vllazninë e parafundit në renditje duke bërë që të rihapej një kampionat i ri për katin e poshtëm të tabelës së klasifikimit duke i dhënë oreks edhe vendit të fundit. Ndërkohë, gjithnjë nëse lushnjarët do tia dilnin për të marrë pikët e plota, me gjendjen problematike të krijuar pas dy humbjeve të fundit, situata në kampin kuqeblu do të rëndohej së tepërmi. Por, fatmirësisht për shkodranët java në fjalë foli për to.

Fitore e pastër, që do të thotë fundosje përfundimtare e lushnjarëve të vendit të fundit në tabelën e klasifikimit. Ndërkohë, duke përfituar nga humbja në shtëpi e durrsakëve me Luftëtarin, trepikëshi i marrë në Lushnje bën që Vllaznia të ndërrojë vendet me Teutën e Durrësit. Por, përpos këtyre që padyshim meritojnë vëmendjen e duhur, arritja më e madhe e kësaj jave në mund ta quajmë kështu është ajo që ka të bëjë me gjendjen psikologjike të skuadrës në tërësi, e cila pas kësaj fitoreje është përmirësuar ndjeshëm. Tre pikë oksigjeni po konsiderohen në opinionin sportiv ato të marra në Lushnje të shtunën e kaluar.

Tre pikë të ardhura në kohën dhe momentin e duhur duke i dhënë qetësinë e duhur pjesëtarëve të skuadrës kuqeblu pas gjithë atij rrebeshi kritikash të lëshuara në adresë të tyre pas startit zhgënjyes të vitit 2018. Natyrshëm, kjo fundjavë ka qenë krejt ndryshe për secilin pjesëtarë të kampit kuqeblu, që nga futbollisti më i thjeshtë dhe deri tek maja më e lartë e kupolës, kryebashkiakja-presidente, Voltana Ademi, e cila, edhe ajo si gjithë të tjerët, siç nuk ka nguruar edhe ta shprehë pas ndeshjes në Lushnje, ka marrë frymë më lirshëm pas këtij rezultati. Ndryshe ka qenë kjo fundjavë edhe për Xhehavir Sukajn, i cili falë asaj dopiete të shënuar në Lushnje, shpresohet të ketë lërë pas ngërçin që e kishte pushtuar në dy ndeshjet e para të vitit. Por, më së shumti, golat lushnjarë që pritet të pasohen edhe me të tjerë në vazhdim, do të shërbejnë edhe për një pajtim të mundshëm me atë pjesë të tifozëve që ishte e mërzitur me “Xhevon javën e kaluar.

TIFOZËT – Të lehtësuar pas atij rezultati pozitiv të regjistruar në transferten e Lushnjes janë padyshim edhe sportdashësit shkodranë. Pasi, për hir të së vertetes, duke nisur që nga ato më thekurit që vazhdojnë ti qëndrojnë besnik ndjekjes së skuadrës në shkallët e stadiumit dhe deri tek masa e madhe e komunitetit qytetar shkodran që historikisht jetojnë me këtë Vllazni kanë qenë në tension të madh për fatin e rezultatit të kësaj ndeshje. Përgjithësisht, edhe tek ato ndjehet kënaqësia dhe entuziazmi i kësaj fitoreje, por gjithsesi, ashtu si edhe vete skuadra, edhe ato e kuptojnë se kjo fitore nuk është asgjë nëse nuk do të pasohet me rezultate të tjera pozitive në javët në vazhdim. Dhe, pa shkuar shumë larg, si për koincidence, më e afërta është ajo e kësaj fundjave, pasi ditën e diele, në orën 17.00, Vllaznia pret në Loro Boriçi rivalen direkte të mbijetesës, Teutën e Durrësit. Sfide, e cila nuk ka nevojë për thirrje dhe mesazhe ndaj publikut, sepse për të gjithë është mjaft e qartë që shkallët e stadiumit Loro Boriçi duhet të jetë plot në mbështetje të skuadres kuqeblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online