Në futboll ka gjithnjë raste kur një skuadër nuk ka motivimin e duhur në fund të kampionatit dhe toleron paksa, por ka edhe raste kur një skuadër nuk impenjohet fare, për të mos i bërë nder një rivali historik.
Kjo ka ndodhur në vitin 2009, kur Flamengo mundi Gremion 2-1 dhe fitoi titullin, ndërsa në krahun tjetër Internacionali shpresonte te gabimi i Flamengos, për t’u shpallur kampion. A mund t’i bënte nder Gremio rivalit të urryer në Porto Alegre? As që bëhej fjalë.
Këtë e zbulon mesfushori i Juventusit, Douglas Kosta, i cili pranon se në atë ndeshje humbja ishte e kërkuar edhe nga Gremio, sa për inat të Internacionalit, ashtu edhe nga frika se tifozët do të hakmerreshin nëse titulli shkonte tek Interi.
“Po luanim me ekipin e rezervave. Pas 45 minutash kishim shënuar një gol dhe ndeshja ishte barazim. Kur rinisi loja, na njoftuan se Internacionali do të shpallej kampion me këtë rezultat. M’u desh të luaja që të mos fitonim, shumë larg zonës. Në fund, humbja 2-1 ndaj Flamengos na bëri të gjithëve të lumtur. Drejtuesit na thanë të bënim ç’të donim, por tifozët do të na vrisnin nëse ndihmonim Interin të shpallej kampion”.