Elis Bakaj po bën mirë në Bjellorusi. Shaktar Soligorski e ka nisur mirë kampionatin, duke fituar tre ndeshjet e para dhe madje pa pësuar gol. Protagonist ka qenë edhe sulmuesi shqiptar, i cili ka shënuar dy gola në kampionat deri më tani. Në Kupa ka realizuar një më shumë.
Së fundmi Bakaj ka dhënë edhe një intervistë për “Tribuna” dhe vë në dukje diçka që i pëlqen nga Bjellorusia. “Më pëlqejnë njerëzit këtu. Bjellorusët nuk janë si ballkanasit. Këtu njerëzit nuk më afrohen dhe më pyesin: Pse nuk shënove! Këtu njerëzit janë të qetë dhe më pëlqen kjo gjë. Janë të ngjashëm me ukrainasit”, shprehet fillimisht trekuartisti.
Ai veçon edhe të tjera gjëra që i kanë bërë përshtypje: “Diçka tjetër që kam vënë re është se këtu nuk krijon dot lehtë miqësi me njerëzit, por kur i krijon është një raport i mrekullueshëm. Një tjetër gjë që më pëlqen është edukata e shoferëve. Këtu sillen sipas rregullave dhe nuk krijohen sherre. Bjellorusia është një vend i sigurt. Bëj një jetë normale këtu, nuk pi duhan ose alkool dhe kurrë nuk kam pasur probleme me policinë”.
I ftohti bjellorus duhet përballuar në njëfarë mënyre dhe shumë njerëz zgjedhin alkoolin për t’u “ngrohur”. Konsumimin e alkoolit, si një problem social në Bjellorusi e ka kuptua edhe Bakaj, i cili jep edhe komentin e tij në lidhje me këtë çështje.
“Po e kam kuptuar këtë gjë. Shoh shumë njerëz të dehur rrugëve. Megjithatë, edhe në Shqipëri mund të takosh shumë njerëz të alkoolizuar. Bjellorusët që dehen nuk krijojnë probleme të mëdha. Në Shqipëri një njeri i pirë mund të krijojë probleme për të gjithë qytetin”, përfundoi Bakaj.