Rrëfimi i Arbnor Fejzullahit: Zvicra, ëndrra drejt Bundesligës dhe titulli kampion…

Nga Kategoria Superiore, në elitën e futbollit zviceran. Arbnor Fejzullahi ka nisur aventurën e parë në një ligë europiane, pas 8 viteve të kaluara në Shqipëri me fanellën e Besës dhe më pas në katër sezonet e fundit me Partizanin.

Nojshatel Ksamaksi është një nisje e re për 25-vjeçarin, që i ka të qarta idetë se çfarë kërkon të arrijë nëpërmjet kësaj eksperience të re. “Po punoj që të arrij formën fizike, sepse ekipi i kishte nisur përgatitjet tre javë përpara se unë të firmosja”, tha Fejzullahi për “Sport Ekspres”. “Pres që të aktivizohem me ekipin në Superligën zvicerane, të bëj ndeshje të mira dhe të rikthehem në Kombëtare”.

Përshtypjet nga skuadra e re janë mjaft të mira, ashtu si edhe pritja e shokëve të ekipit, me djaloshin nga Lugina e Preshevës që nuk do ta ketë të vështirë të ambientohet, pasi te Nojshateli ka gjetur edhe të tjerë lojtarë me origjinë shqiptare.

“Përshtypjet e këtyre ditëve të para me ekipin janë mjaft të mira. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, si të huajt, ashtu edhe futbollistët shqiptarë që luajnë me Nojshatelin. Me ardhjen time, jemi gjithësej katër shqiptarë”, deklaroi Fejzullahi, që konfirmoi se dëshiron ta shfrytëzojë Superligën zviceriane si trampolinë për më lart: “Dëshira është që pas paraqitjeve të mira në këtë kampionat, të luaj në Bundesligën gjermane”.

Në fund, mbrojtësi i djathtë dha edhe një mendim për garën në sezonin e ri të Kategorisë Superiore, duke mos hezituar të nxjerrë nga gara Skënderbeun, pavarësisht se korçarët presin ende vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë në çështjen kundër dënimit të UEFA-s. “Mendoj se këtë vit në garë do të jenë tre skuadra: Kukësi, Flamurtari dhe Partizani. Dëshira ime është që Partizani të shpallet kampion, pavarësisht se nuk jam më pjesë e ekipit. Tifozët e kuq e meritojnë një titull, sepse e kanë pritur shumë gjatë…”, tha Fejzullahi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *