Vetëm 20-vjeç, por me klasin e një kampioni. Një yll i ri po rritet te Prishtina, në Superligën e Kosovës. Meriton Korenica i mahniti të gjithë në miqësoren ndaj Tiranës, ku shënoi tre golat e fitores 3-1. Talenti ishte spikatur më parë nga Bledi Shkëmbi, i cili i dha mundësinë të evidentohej te Liria e Prizrenit, ndërsa tashmë rritja me trajnerin Mirel Shkëmbi. Sulmuesi i përfaqësueses Shpresa të Kosovës rrëfeu emocionet, objektivat e sezonit të ri dhe vlerësoi trajnerët, të cilët po arrijnë t’i marrin më të mirën.
GOLAT NDAJ TIRANËS – “Është një kënaqësi e madhe t’i shënosh Tiranës tre gola. Dua të falenderoj edhe shokët e skuadrës, pasi realizuam një ndeshje shumë të mirë. I shfrytëzuam rastet dhe regjistruam një fitore shumë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit dhe finalen e Superkupës që e luajmë javën tjetër. Kjo na jep një motiv shtesë dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e ardhshme”.
OBJEKTIVAT – “Edhe pse dështuam në ndeshjene dytë në Europa League besoj shumë te kjo skuadër. Shpresoj që t’ia dalim në kampionat, për të fituar titullin, por edhe Kupën”.
SHKËMBI DHE JOSA – “Është kënaqësi e madhe të drejtohesh nga një ish-lojtar i madh si Bledi Shkëmbi dhe tashmë nga një trajner si Mirel Josa. Për mua është kënaqësi dhe në të ardhmen ndoshta takohemi, sepse në futboll gjithçka ndodh”.