Kur Shqipëria e vitit të vështirë 1997 shkëmbente plumbat mes një lufte të çuditshme civile, 12-vjeçarja e asokohe Kleitja Parllaku shkëmbente topat mbi rrjetën e volejbollit të pallatit të sportit “Asllan Rusi”.
Ëndrrat në luftë gjithnjë janë të forta dhe të largëta… dhe ato vështirësoheshin më shumë, kur mbështilleshin me merakun e drejtë të familjes, që kujdesej thjesht për ekzistencën fizike të vajzës së vogël.
Në atë kaos shoqëror Kleitja triumfoi, duke u mbështetur fort te magjia e topit.
Nga bankat e shkollës në parket… kjo është historia e veçantë e Kleitja Parllaku, e cila gjatë karrierës së saj 14-vjeçare në volejboll fitoi gjithçka duke përfaqësuar edhe vendin në arenën ndërkombëtare.
Karriera e Kleitja Parllaku, ka kaluar vetëm në dy stacione, Studenti, me të cilët u bë pjesë në tetor të 1998 dhe pas 8 vitesh të suksesshme ku fitoi çdo trofe të mundshëm u transferua te UMB Volley me shumë polemika, ku edhe mbylli karrierën në 2012.
Kleitja, si lindi pasioni për volejbollin? Kush të afroi për herë të parë në parket?
Ka qenë mësuesja e edukimit fizik në shkollën 8 vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, e cila më sugjeroi për herë të parë të merrem me volejboll. Isha vetëm 13 vjeç dhe ishte hera e parë që dëgjoja për këtë sport.
Kur e nise volejbollin besoje se do të arrije këto nivele?
Nuk e mendoja kurrë se volejbolli do bëhej pasioni im më i madh dhe profesioni im në të ardhmen. Kam kaluar një periudhë të jashtëzakonshme, duke fituar trofe të rëndësishëm kolektivë dhe individualë.
Për shumë vajza Ela Tase është sportistja që i bëri vajzat të dashurojnë volejbollin, po ju?
Padiskutim që po. Ela bëri krenar gjithë shqiptarët, ishte një sportiste e jashtëzakonshme, arritjet e saj janë shkruar me gërma të arta në librat e volejbollit shqiptar.
Ke luajtur volejboll në një moment të vështirë, pas 1997 vetëm për sport nuk mund të flitej. Si i binde prindërit për t’u marrë me volejboll?
Ka qenë shumë e vështirë për t’i bindur. Ishte periudhë shumë e vështirë. Çdo ditë i lutesha prindërve të më regjistronin në volejboll, por ishte e pamundur. Kam insistuar shumë, derisa një ditë u ktheva nga shkolla dhe i thashë sot do shkojmë të takojmë trajnerët e ekipit të Studentit. E kisha lënë takimin vetë pas mbështetjes nga mësuesja e edukimit fizik, e cila ngulmonte për të nisur volejbollin. Sot që e mendoj po të mos kisha vepruar kështu, ndoshta nuk do të kisha luajtur kurrë volejboll.
Për të arritur gjërat që do, duhet të sakrifikosh; ju shoqëronin prindërit në atë periudhë në stërvitje?
Sakrificat kanë qenë të medha. Mbaj mend që në vitet e shkollës gjithmonë çanta ime ishte shumë e rëndë. Në të mbaja librat e shkollës dhe bazën materiale për t’u stërvitur, sepse më duhej të shkoja në stërvitje menjëherë sa mbaroja shkollën. Ka qenë mami ime, e cila më shoqëronte çdo ditë në stërvitje, nuk bëhej fjalë që vajzat të lëviznin vetëm nëpër rrugët e Tiranës. Kanë qenë kohë tepër të vështira, por ndihem krenare për zgjedhjen që kam bërë.
Si e kujton ndeshjen tënde të parë, debutim në parket?
Është një ndjesi unike. Nuk mund t’i përshkruaj ato emocione. Aty mësova se çfarë është ndjenja e përgjegjësisë. Kam qenë shumë e vogël dhe ndonjëherë mendoja a mund ta përballoj dot gjithë këtë ngarkesë emocionale.
Ke fituar shumë trofe dhe medalje, cila është më e veçantë?
Gjatë karrierës sime kam fituar trofe të rëndësishëm, por sezoni 2004-2005 ka qenë ndër më të veçantët, sepse e nisëm si një ekip pa objektiva të mëdha dhe në fund arritëm të fitonim çdo trofe të mundshëm.
Ke luajtur me shumë vajza gjatë karrierës së gjatë, mikesha juaj më e mirë nga parketi?
Nuk do t’i harroj kurrë momentet që kalonim me vajzat në stërvitje, në ndeshje dhe gjatë grumbullimeve. Luaja me vajza të shkëlqyera në një ekip fantastik. Mikja ime më e mirë është Nerisa Kuqi.
Maja për një sportist është të përfaqësojë ekipin kombëtar. Çfarë momentesh do të veçoje?
Ftesa nga kombëtarja shqiptare ishte e jashtëzakonshme. Emocionet e para me fanellën kuqezi nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Kemi pasur shumë grumbullime, rezultate befasuese. Jam krenare që kam përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare.
Po momentet më të vështira?
Momenti më i vështirë në sport për mua ka qenë në 2006 kur më detyruan të bëja një vit pushim. Unë isha pjesë e Studentit dhe kisha disa oferta. Mu desh të rrija një vit pa luajtur në mënyrë që të merrja kartonin dhe të bëhesha pjesë e UMB Volej, pas insistimit të trajnerit Kreshnik Tartari.
Çfarë ke mësuar nga jeta sportive?
Për mua sporti është shumë i rëndësishëm për formimin e karakterit të një individi. Mbi të gjitha të mëson disiplinën, rregullin, si të sillesh në shoqëri dhe të injekton mentalitetin e fituesit.
Pasi u tërhoqe si sportiste, dashuria për volejbollin ishte e madhe dhe vendose të trajnoje vajzat e reja. Si e përshkruan këtë eksperiencë?
Të merresh me moshat e reja është kënaqësi e madhe, por edhe lodhje sigurisht. Pas 2013 nisa një rrugëtim të ri si trajnere me vajzat e vogla. Është ndjesi e veçantë kur pasionin dhe dashurinë që ke për volejbollin e përcjell te brezat e tjerë.
Sot të rinjtë e kanë humbur dashurinë për sportin, preferojnë më tepër lojërat elektronike. Si mund t’i kthejmë sërish te parketi apo fushat me bar jeshil?
E vërtetë dhe besoj që është shqetësuese. Në ditët e sotme është bërë e vështirë t’i largosh fëmijët nga telefonat dhe t’i drejtosh në sport. Duhet të ketë më shumë ambiente për të ushtruar sportin dhe kjo gjë duhet bërë me profesionalizëm dhe seriozitet. Qeveria duhet të hartojë politika për t’iu shërbyer fëmijeve. Në shkolla aktualisht lënda e edukimit fizik pothuajse është e pamundur të realizohet si duhet. Unë në shkollë u dashurova me sportin, kjo duhet të ndodhi edhe me brezat e rinj, por që kjo të realizohet duhet të funksionojnë mekanizmat…
I ndjek ndeshjet finale të kampionatit shqiptar?
I ndjek sa herë kam mundësi dhe gjithmonë kam emocion, sikur luaja vetë, veçanërisht kur luajnë ish ekipet e mija.
A duhet një organizim më i mirë nga federata, për ta promovuar më tepër sportin e volejbollit?
Gjithmonë ka shumë për të bërë. Mua më vjen shumë keq që volejbolli nuk ka të njëjtin nivel me vitet e kaluara. Të vjen keq kur i sheh pallatet e sportit bosh.
Si kampionati ashtu edhe kombëtarja kanë rënë në kualitet vit pas viti, sipas jush përse ka ndodhur?
Ekipet zinxhir duhet të funksionojnë më mirë. Nëse nuk ka masivitet nuk mund të ketë cilësi dhe progres.
Në fund diçka për të shtuar?
Për mua është kënaqësi të flas gjithmonë për volejbollin. Sporti është zgjedhja më e mirë që kam bërë. Edhe sot që u bënë kohë që jam larguar nga parketi, sa herë shoh ndeshje finale momenti i ngritjes së kupës më emocionon pa masë.
Një mesazh për vajzat që duan të t’i përkushtohen volejbollit?
Të bëhesh një sportiste e mirë duhet ta dashurosh shumë këtë sport. Kryesorja është puna dhe disiplina nëse do të arrish majat. Vetëm duke u stërvitur fort çdo ditë mund të ecësh përpara. Sigurisht që duhet të jeni të gatshëm të bëni edhe sakrifica të mëdha, sepse nëse shoqet e tua dalin apo argëtohen t’i duhet të mbash regjim.
SKEDA ME ARRITJET E KLEITJA PARLLAKU
STUDENTI
1999- fitues të Kupës Rinia (të reja)
2001- fitues të kampionatit kombëtar (të reja) dhe Kupës së Federatës
2003- fitues të kampionatit kombëtar
2004- fitues të Kupës së Shqipërisë
2005- fitues të Kupës së Shqipërisë dhe të kampionatit kombëtar
2006- fitues të Kupës së Federatës
UMB Volley
2009- fitues të Kupës së Shqipërisë
2010- fitues të Kupës së Shqipërisë
EKIPI KOMBETAR
2001- Women’s Youth Ballkan Championship Lehivo/Greece
2002- Junior Girl’s Ballkan Championship Tokat/Turkey
2003- International tourmant of Pescara, fitues të kompeticionit