Një ditë para startit të Kupës së Botës, Kristiano Ronaldo bën lëmsh mediat dhe tifozët, falë një postimi në Instagram. Portugezi ka publikuar një vizatim ku shfaqet në dy versione: i pari, Ronaldo me fanellën e Portugalisë me numrin 7, i dyti, Ronaldo me një fanellë të zezë dhe me pikëpyetje në vend të numrit, ndërsa emri i tij është transformuar në Ronaldon’t (Ronaldo, mos!).
Çfarë kuptimi ka? Mesazh për merkaton, apo thjesht gjetje publicitare? Duhet theksuar se postimi ka brenda edhe sponsorin Nike, ndërsa titullohet: “Beteja në mendjen e Kristiano Ronaldos”. Për kuriozitet, Nike sponsorizon edhe PSG-në dhe Mançester Junajtid.
Në Spanjë gjejnë lidhje të tjera: postimi i Ronaldos vjen një ditë pas emërimit të Lopeteguit në stolin e Realit. Trajneri spanjoll pak kohë më parë e kishte quajtur Mesin “Lojtari më i mirë në histori” dhe Ronaldon “Kundërshtari më i mirë i mundshëm për Mesin”.
Ndërkaq, Reali pret, sepse ia ka bërë ofertën: rinovim me 25 milionë euro në sezon, plus 7,5 milionë në bonuse. Ronaldo vetë shkruan “Coming soon”.