Kalimi i Kristiano Ronaldos te skuadra e Juventusit po kthehet në një “telefilm” që nuk i dihet fundi. Portugezi ka dëshirë të kalojë te skuadra italiane, pasi nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si u trajtua nga presidenti Florentino Perez. Ai po shijon pushimet me të dashurën e tij në Greqi duke mos u stresuar në lidhje me lajmet e merkatos.
Ekipi i Real Madridit ka pranuar dëshirën e Ronaldos për t’u larguar, por po bën një lojë tjetër. Fillimisht, do që të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij, por presidenti Perez nuk po jep miratimin dhe për një arsye tjetër. Largimi i Ronaldos do të thotë ulje popullariteti për të duke qenë se portugezi ka shumë ndikim te tifozët. Perez do që Ronaldo të dalë dhe të pranojë vetë se do të largohet.
Nga krahu tjetër, menaxherit të Ronaldos, Horge Mendesh i është bërë e qartë nga portugezi: “Jepi zgjidhje, dua të largohem!”. Agjenti i Ronaldos do të ketë dhe një takim të dytë me drejtuesit e Real Madridit. Ai do të takohet me drejtorin sportiv Horge Angel Sançez për të biseduar në lidhje me pranimin e ofertës së Juventusit dhe për të mësuar se pse nuk pranon klubi galaktik marrëveshjen, çfarë kërkesash të tjera kanë.