Holandezi i Bajernit është ndalur në tri tema themelore që kanë shënuar karrierën e tij, kalimin nga Reali tek Bajerni, Liga e Kampioneve dhe tërheqja nga futbolli
Arjen Roben është pa dyshim një legjendë e gjallë e Bajernit të Mynihut. Që nga viti 2009 ai është pjesë e gjigantëve të Bundesligës. Pikërisht kalimi nga Reali i Madridit tek Bajernit ka qenë një nga vendimet kyçe në karrierën e holandezi. Në vitin 2009 kur ai linte Madridin për t’iu bashkuar Bajernit të gjithë e shihnin atë me mjaft dyshime, por sot ata që dyshonin, kanë boll arsye për të kthyer fjalët mbrapsht. Edhe Roben pas 8 vitesh tek Bajerni është i bindur se zgjedhja për t’u transferuar në Gjermani ka qenë më siç e thotë vetë ai “zgjedhja e jetës”. Në “The Players’ Tribune”, Roben 33-vjeçar i shkruan Robenit 16-vjeçar, duke theksuar: “Kalimi im tek Bajerni ishte zgjedhja më e rëndësishme në jetën time si futbollist”. Më pas ai ka vijuar: “Ti do të jesh pjesë e një klubi të madh si Bajerni i Mynihut. Këtu nuk flitet vetëm për sukses në fushë, por në çdo nivel të mundshëm.”
Finalja e humbur “dahoam” – Në karrierën e tij tek Bajerni, Arjen Roben numëron suksese të shumtë, përfshi këtu dhe Ligën e Kampioneve. Por veç sukseseve nuk mungojnë as dështimet. Ndonëse vitet kalojnë, humbja në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2012 kundër Çelsit, pikërisht në shtëpi në Mynih – “Finale dahoam” – vazhdon të jetë një brengë. “Për ne dukej ditë më e lumtur, të luanim një finale në shtëpinë tonë, por që për fat të keq u kthye në një tragjedi. Ajo humbje nuk ishte thjesht një ndjesi negative pasi ke humbur një finale, ishte diçka më e madhe se kaq. Të gjithë kërkonim një revansh”. Dhe revanshi në fakt nuk mungoi, sepse një vit më pas Bajerni fitonte Ligën e Kampioneve në një duel tërësisht gjerman kundër Dortmundit në Londër, ku golin e 2-1 e shënonte pikërisht Arjen Roben.
Uria e përhershme – Karriera e tij në Bavari numëron suksese të shumtë: 6 tituj kampion në Gjermani, katër herë fitues i Kupës së Gjermanisë, tri finale në Champions, një e fituar. Dhe të gjithë pyesin si ka mundësi që Roben të jetë ende i uritur. “Pse duhet të ngopemi duke fituar, uria ekziston gjithnjë, bashkë me të dhe dëshira për t’u përmirësuar. Ndoshta është kjo uri që e mban ende në fushat e futbollit, teksa mbyllja e karrierës mbetet ende larg. “Ndoshta do të shkoj diku tjetër, ndoshta do të provoj diçka të ndryshme nga kjo që bëj”.
8 vjet
Arjen Roben aktivizohet prej 8 vitesh tek Bajerni që kur iu bashkua në vitin 2009 nga Reali