Rivalët e Shqipërisë, më mirë se Argjentina dhe Ekuadori së bashku

Vendi i parë në grupin e Ligës së Kombeve për Shqipërinë do të ishte një mrekulli. Kjo për faktin se kuqezinjve ui nevojitet të fitojnë me katër gola diferencë, të shtunën ndaj Skocisë. Më pas, skuadra e Panuçit duhet të presë që britanikët të mposhtin Izraelin. Një kombinim i vështirë të realizohet, por për aq kohë sa matematika e lejon, Kombëtarja mund të shpresojë.

Gjithsesi, izraelitët, rivalët që gjatë muajit të kaluar i shkaktuan Shqipërisë një humbje tronditëse, për mënyrën si u shënuan golat, dhanë një sinjal se nuk do të dorëzohen lehtë. Skuadra e Herzog fitoi 7-0 në miqësoren e luajtur përballë Guatemalës. Në rregull, kundërshtarët nuk ishin më të vështirët e mundshëm.

Ekipi i Amerikës Veriore pozicionohet në vendin e 147-të në renditjen e FIFA-s dhe kjo ishte një prej humbjeve më të thella në histori (rekordi negativ është disfata 9-1 me Kosta Rikën në vitin 1955). Megjithatë, vlen për tu theksuar fakti se Izraeli bëri më mirë përballë Guatemalës, se Argjentina dhe Ekuadori së bashku.

Në dy miqësoret e zhvilluara në muajin shtator, përfaqësuesja e vendit pranë Karaibeve u mposht 3-0 nga Argjentina dhe “vetëm” 2-0 nga Ekuadori. Me rezultatin e regjistruar, duke shënuar afro sa dyfishi i dy prej skuadrave më të rëndësishme në Kontinentin Amerikan, Izraeli dha një mesazh të qartë, se do të provojë deri në fund të fitojë grupin në Ligën e Kombeve, ku e mbyll aventurën në mesjavën e ardhshme në Skoci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *