Sot është mbajtur edhe Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme të FSHF-së, të cilën kushtet e krijuara prej pandemisë e kanë bërë të zhvillohet nëpërmjet video-konferencës. Shumë çështje me rëndësi u diskutuan në të, ndërsa një vëmendje mori edhe buxheti për Federatën në vitin 2020. Në përfundim të Asamblesë, presidenti Armand Duka dha edhe një njoftim me rëndësi sa i përket rifillimit të garës në Shqipëri.
FSHF po përpiqet prej kohësh të sjellë sa më shpejt futbollin aty ku e ka vendin, në fushën e lojës, megjithëse qeveria nuk është treguar bashkëpunuese në këtë pikë. Kreu i Federatës shqiptare bën me dije se në ditët që vijojnë do të organizohet edhe një takim me klubet e Superiores, Kategorisë së Parë dhe të Dytë për të diskutuar mbi rikthimin e kampionatit. Në vemendjen e tyre do të mbetet dhe futbolli i fëmijëve dhe Akademitë.
“Duke e përfunduar këtë Asamble, para se të shkojmë në mbylljen e saj, dua t’ju njoftoj që në ditët në vazhdim do të organizojmë takim të tillë me të gjithë anëtarët e Kategorisë Superiore, klubet e Kategorisë së Parë, Klubet e Kategorisë së Dytë për të diskutuar me to mbi rikthimin e garës dhe të aktiviteteve në Shqipëri. Gjithashtu do të të kemi edhe një diskutim për futbollin e fëmijëve dhe për Akademitë“, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/