Vllaznia ka mbijetuar në fazën e “Play-Out” teksa ka mundur Besëlidhjen me shifrat 3-1. Shkodranët ia dolën në betejën për të qendruar në elitën e futbollit shqiptar, pavarësisht maktheve të së shkuarës. Alban Xhaferi ngre entuziazmin në qytet pasi tashmë është pjesë edhe ekipit të futbollit. Që përpara zhvillimit të këtij takimi do të premtonte se Vllaznia do të kalonte pa problem përballjen e “Play-Out” nëse do të kishte një të tillë. Ashtu edhe ndodhi, ndërsa menjëherë pas fitores Xhaferi ka shkruar në rrjetet sociale: “Rikthim te suksesi”.
Nga ana tjetër trajneri Hysen Dedja ka folur për “Supersport” duke e thënë qartazi se Vllaznia nuk është për takime të tilla mbijetese, duke kërkuar njëkohësisht edhe vazhdimin e projektit.
“Jam i kënaqur me lojën dhe rezultatin e arritur. Bëmë edhe gabime, por më pëlqeu ajo që skuadra tregoi në fushë. Vllaznia nuk duhet të luajë më ndeshje të tilla në të ardhmen. Këtu ka lojtarë të mirë, por atë e dinë drejtuesit. Golat që u shënuan sot, i shikon rrallë në kampionatin tonë. Ndeshja e sotme duhej të kishte grintë, por kështu duhet edhe në ndeshjet e kampionatit.
Jam i gatshëm të vazhdoj, por është në dorë të drejtuesve. Nëse u ka pëlqyer puna ime, atëherë vendosin ata. Deri sot isha trajner i Vllaznisë dhe tani jam i lirë. Shpresoj që gjithçka për kampionatin e ardhshëm të fillojë në kohë dhe skuadra të jetë gati. Këtë i kam kërkuar edhe drejtuesve në bisedat që kemi pasur. Ata që kanë ekonominë duhet të mendojnë për të ardhmen. Unë e kam projektin, por vendosin ata”, u shpreh Dedja. /Sport Ekspres/