Kristian Eriksen po kalon një moment aspak pozitiv te Interi. Ndonëse erdhi në Milano me shumë buje dhe pritej të ishte një pikë kyçe në mesfushën zikaltër, gjërat morën një tjetër rrjedhë dhe danezi e pa veten shumë shpejt jashtë planeve të Antonio Kontes. Një lojtar i tillë patjetër që nuk e pranon stolin dhe për këtë arsye në muajin janar mund të largohet nga skuadra italiane.
Pista Premier League rikthehet për Eriksen, teksa sipas “Corriere Dello Sport” bën me dije se Arsenali është një mundësi për lojtarin danez. Në rast të një transferimi të tillë, Interi mund të kërkojë Granit Xhakën në shkëmbim. Mesfushori me origjinë shqiptare ka pasur mjaft kritika te “topçinjtë”, që kulmuan sezonin e shkuar me atë reagim mjaft të ashpër të futbollistit të Kombëtares së Zvicrës.
Ndërkohë dy pista të tjera janë edhe Mançester Junajtid dhe Çelsi, ndërsa si këmbim mund të kërkohën respektivisht Fred dhe Kante, me këtë të fundit që është dëshira e madhe e Kontes dhe klubit zikaltër prej kohësh./Halit Delibashi-Sport Ekspres/