Rexhinaldo pikëpyetja e madhe, a do të rrezikojë Cungu?

Menjëherë pas kualifikimit me Valetën, Kukësi nisi që të mendonte për të përforcuar skuadrën. Problemet më të mëdha ishin në sulm dhe drejtuesit menjëherë nisën negociatat me Rexhinaldon, duke e bindur këtë të fundit për të nënshkruar për edicionin e ri.

Marrëveshja u arrit të premten, por sulmuesi nga Mozambiku do të mbërrijë sot në Tiranë. Mbetet për t’u parë nëse 28-vjeçari do të jetë në seancën e fundit stërvitore në “Loro Boriçi”, pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm. Sigurisht në Kukës do e donin gati që në ndeshjen e nesërme, por do të jetë shumë e vështirë që ta kenë në dispozicion. Rexhinaldo është një futbollist që për nga konstrukti që ka premton se nga ana fizike do të jetë gati, por mbetet për t’u parë nëse do të ambientohet me ekipin e ri, edhe pse ai e njeh filozofinë e futbollit shqiptar.

Me shumë gjasa, Rexhinaldo do të jetë në grumbullim, por i takon Cungut për të vendosur nëse do t’i japë minuta në ndeshjen e parë me Karabakut, apo nuk do të rrezikojë dhe do ta ruajë si armë në ndeshjen e kthimit. Në anën tjetër, nuk do të ishte ndoshta dhe shumë “fair” për t’i zënë vendin ndonjërit prej futbollistëve që ka djersitur gjatë gjithë javës dhe në fund do i duhet që ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *