Rexhinaldo ishte “dhurata” e presidentit Safet Gjici për trajnerin Armando Cungu pas kualifikimit me Valetën. Tekniku shkodran i kishte kërkuar të tjera përforcime numrit një të klubit kuksian, i cili bëri të mundur afrimin e ish-sulmuesit të Laçit.
Edhe pse prezantimi nga klubi është bërë dy ditë më parë, vetëm nesër pritet që 28-vjeçari të bashkohet me grupin. Fakti që do të ketë vetëm 2 seanca me skuadrën, duket e vështirë që të zbresë në fushë në ndeshjen e parë me Karabakun. Rexhinaldo realizoi 18 gola me Laçin dhe mund të konsiderohet si një nga afrimet më të bujshme të skuadrës kuksiane.
Në Azerbajxhan po i kushtojnë mjaft vëmendje skuadrës së Kukësit. Në portalin “apasport.az”, shihet që çdo zhvillim i Kukësit pasqyrohet, duke nisur që nga lëvizjet e fundit dhe deri tek deklaratat. Duket se pritet me mjaft interes edhe ndeshja e së mërkurës në “Loro Boriçi”.