Revolucioni i Milinkoviçit, nga epoka “Gjoka” shpëtojnë pak

Nga Rrumbullaku te Serran e Naser, te Kukësi nuk besojnë te vazhdimësia e sezonit të shkuar dhe merkatoja verore, teksa “besnikët” e trajnerit të shkuar janë larguar ose po lihen në hije

Jurgen Zela

Kukësi e fitoi titullin aq shumë të ëndërruar nga Safet Gjici, “lumi u kalua”, ndaj sezoni i ri ka qenë një revolucion thuajse total. Shumë ndryshime, problematika kontraktuale gjatë verës dhe konfuzion nëse do të jetë apo jo sërish një kandidat për kurorën e kampionit. Ndryshimet në staf u pasuan dhe lëvizje të mëdha në organikë, teksa nuk u larguan vetëm disa nga lojtarët kyç të sezonit të shkuar, por u larguan dhe disa nga lojtarët që kishin ardhur vetëm para kupave të Europës. Një e nga një të gjithë “u skarcuan” për arsye të ndryshme ose të panjohura.

Rrumbullaku nuk preferohet as në Kupë

Simon Rrumbullaku u afrua në merkaton e janarit te Kukësi, si një nga dy afrimet e vetme të skuadrës. Një dëmtim i pësuar bëri që të mos luante për një periudhë dy-mujore, megjithatë në kupat e Europës ishte sërish pjesë e formacionit. Me ardhjen e Milinkoviç, gjithçka shkoi mirë teksa në miqësoret e zhvilluara ishte lojtari me më shumë minuta në këmbë. Në ndeshjen e Superkupës e nisi si titullar, por që nga ndeshja pasuese doli në plan të dytë. Një zgjedhje e trajnerit me arsyetimin se Imami e fitoi vendin e titullarit me performacën pas ndeshjes me Kamzën. Megjithatë, kur sheh se për 25-vjeçarin nuk ka vend as në ndeshjen e kupës ndaj Egnatias, lind dyshimi se diçka nuk shkon. Një lojtar i ardhur me potencial dhe i bërë titullar, të mos merret në konsideratë as në kompeticionin e dytë për nga rëndësia, duket e çuditshme. Në ndeshjen me Superkupën nuk mund të themi se shkëlqeu, por kush shkëlqeu atë ditë? Çudi.   

Edhe Kale mund të largohej në verë

Elton Kale mund të konsiderohet “asi” i Kukësit në këtë fillimsezoni. Braziliani nisi sezonin në ndeshjen me Partizanin dhe në tre takimet e luajtura ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë dhe një asist. Shtatshkurtër, impulsiv e agresiv. Kale u afrua së bashku me Rrumbullakun në janar, por mund të kishte qenë një tjetër i larguar në verë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se në verë kampionët ishin në kërkim të një lojtari për ta zëvendësuar brazilianin, por nuk u gjet lojtari i duhur dhe forma e tij gjithnjë në rritje bëri që gjërat të ndryshonin dhe 29-vjeçari të qëndronte.

Naser, nga yll në të padëshiruar

Lojtari më i paguar te Kukësi. Pritshmëritë të mëdha për të dhe në fund një largim i papritur. Siraj Naser iku ashtu siç erdhi, pa debutuar në kampionatin shqiptar. Pakkush do ta mbajë mend, teksa vetëm një shtyllë e goditur në minutat e fundit në Moldavi, jo shumë mund ta kujtojnë. Kostoja e tij arrinte shifrën e 9000 eurove në muaj dhe për Kukësin kjo ishte shumë. Largimi i tij u justifikua që nuk ishte në planet e Milinkoviçit, por jo të pakta ishin rastet kur në Kukës e vlerësonin pa fund dhe deklaronin: “Lojtar i tillë nuk ka ardhur në Shqipëri”.

Serran, “krimineli” i Europës!

Një penallti e shkaktuar, terror pas ndeshjes dhe largim i (pa)pritur. E akuzuan për shitje ndeshjeje pas Sherifit në Moldavi, i frikësuar qëndroi dhe për ndeshjen e kthimit. Një traversë e goditur në minutën e fundit në Elbasan mund ta kishte kthyer nga “djall” në “engjëll”. U largua, me përshtypje shumë të keqe nga Shqipëria, diçka që e deklaroi në mediat spanjolle, ndërsa tani luan në Marok.

Lena dhe Pejiç, largim me “dëshirën” e klubit!

“Truri” i skuadrës, Lena, si dhe “makineritë” e golave Pejiç dhe Emini lanë Kukësin në verë, pas kupave të Europës. Nijas Lena deklaroi pas Kupave të Europës që pret ofertë nga Kukësi, një ofertë që vonoi dhe mesfushori kishte ndryshuar mendje. Më pas, një lojë kontrate që nuk solli ndryshim, pasi strugani ishte bërë “durrsak”. Pero Pejiç apo “goleadori” i madh i kuksianeve, ai që me thesin e tij të golave çoi në Kukës titullin kampion u largua pas një oferte shumë të vogël nga ana e Kukësit. Penalltia e humbur ndaj Sherifit peshonte shumë dhe presidenti Gjici vendosi që golat e tij nuk duheshin më. I larguar me mbresa dhe miliona nga futbolli shqiptar, për ta mbyllur karrierën në shtëpinë  e tij.

Kukësi kërkon titullin, duke shmangur hijen e sezonit të shkuar, por a është kjo rruga e duhur? Për Rrumbullakun nuk ka vend, Kale po shkëlqen dhe mbetet titullar nga rendimenti i lartë, Serran u largua me akuza, Naser nga paga, ndërsa Pejiç dhe Lena thjesht me një “shihemi”. Një provë e rrezikshme për një skuadër kampione, por dhe shumë e çuditshme. Nëse revolucioni Milinkoviç do të funksionojë, kjo mbetet për t’u parë, por largimi i shumë kampionëve tregon mungesë vazhdimësie dhe strategjie afatgjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *