Futbolli italian ka nevojë për revolucion dhe hapi i parë është hedhur më në fund, pasi nënkomisari i Federatës Italiane të Futbollit, Alesandro Kostakurta, ka paralajmëruar një reformë të rëndësishme: prej sezonit të ardhshëm do të përfshihen në kampionatet profesioniste edhe ekipet B.
Kjo do të thotë që çdo klub që ka dëshirë mund të regjistrohet në kampionat, që në kategorinë e tretë, duke marrë vendin e ekipeve që nuk plotësojnë kriteret e licencimit.
Një hap gjigant, sepse në këtë mënyrë klubet Si Juventusi, Milani, Interi e të tjerë nuk do kenë nevojë të huazojnë tw rinjtë në kategoritë e ulëta, pasi ekipet B do të marrin pjesë në kampionat dhe do të kenë mundësi të shkojnë edhe në Serinë B, nëse ia dalin, ashtu si Barcelona B në Spanjë, sa për një shembull.
Skuadrat B do përbëhen nga lojtarë U21, me dy lojtarë deri në 23 vjeç, ndërkohë që do vendoset rregull që shumica e lojtarëve të jenë italianë.
Ideja e Kostakurtës është që futbolli italian të nisë punën në themel, nga të rinjtë, ndërsa plani i tij është afrimi në Federatë i emrave si Andrea Pirlo e Paolo Maldini.