Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu, dhe përgjegjësi i Zyrës Rajonale të Tiranës kanë zhvilluar ditën e sotme një takim pune me trajnerë dhe drejtues të shoqatave e akademive sportive që operojnë në qarkun e Tiranës.
Presidenti Duka falënderoi të pranishmit për kohën, duke nënvizuar se qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i ideve, dhënia e propozimeve e mendimeve për të masivizuar futbollin si dhe për të ndihmuar shoqatat në disa drejtime.
“Fokusi ynë ka qenë dhe mbetet futbolli i fëmijëve. Edukimi i fëmijëve që luajnë futboll duhet të realizohet nëpërmjet një programi që do të realizohet nga drejtoria teknike në FSHF, sigurisht duke u këshilluar me ju. Ky program duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë futbollin në Shqipëri, i ngjashëm me kurrikulat e shkollave në arsim, që duhet të studiohet mirë dhe stërvitshmëria e futbollistëve të jetë në standarde dhe parametra cilësorë. Pasi të miratohet ky program, duhet të kontrollohet dhe monitorohet nga strukturat tona për t’u zbatuar nga të gjithë”.
Në takim u dëgjuan me vëmendje të gjithë problematikat që kanë shoqatat sportive, si edhe propozimet e tyre. Presidenti Duka premtoi se do të ndryshohet kompensimi për taksën e formimit, që do të rritet dhe të garantohet që klubet të marrin pagesën për lojtarët që kanë formuar.
Në të njëjtën kohë u garantua zerimi i tarifave të regjistrimit në kampionat për amatorët, si dhe reduktimi i tarifave për ekipet pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore dhe atë të Parë në kategoritë U-17 dhe U-19. Një tjetër pikë që u diskutua ishte dhe krijimi i kampionatit kombëtar për moshën U-15.
Marrë nga FSHF.ORG