Vllaznia ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme mbrëmjen e sotme ndaj Kukësit. Kuqeblutë kanë treguar grintë dhe dëshirë për të fituar. Ndeshja u vendos në minutën e 96, atëherë kur Marku i dërgoi shifrat në 2-1 për Vllazninë dhe bëri që në “Loro Boriçi” të dëgjoheshin vetëm britmat e tifozëve shkodran. Pas përfundimit të ndeshjes, Mirel Josa ka folur për mikrofonin e emisionit “Ti Bo Gol” në “Oversport”, ku ka analizuar lojën e ekipit të tij.
“Do ta ndaja ndeshjen në dy etapa. Në pjesën e parë ishim superiorë në të gjitha drejtimet. Duhet të dyfishonim rezultatin. Në pjesën e dytë Kukësi bëri ndryshime dhe na vuri në vështirësi. Duhet të ishim më të kujdesshëm. Jam i kënaqur me 15 minutat e fundit të ndeshjes, sepse skuadra kishte dëshirë. Rezultati mund të ishte edhe barazim, por goli i Markut na dha një fitore me vlera, sepse e morëm përballë një kundërshtari direkt. Respekte Kukësit se na vuri në vështirësi. Penalltia u vendos në VAR. Fillimisht mendova se ishte, por pasi i verifikua në VAR nuk ishte.
Kështu kam për të festuar edhe në ndeshje të tjera, për sa kohë skuadra ka ego dhe dëshirë për të fituar. Një humbje të bën të vështirë përgatitjen e ndeshjes, sepse mënyra si humbëm më solli shumë dilema. Të gjitha ndeshjet të vështira do të jenë. Na pret ndeshja me Tiranën dhe duhet të jemi me këmbë në tokë pavarësisht kësaj fitoreje. Nuk fitohet kampionati pa filluar akoma. Sepse ne kështu mendonim. Duhet të respektojmë të gjithë kundërshtarët.
Nuk doja të ndryshoja, sepse në pjesën e parë ishim superiorë. Aksionet ishin të rrjedhshme, por nuk finalizuam dot. Të gjitha ndeshjet kështu do jenë. Nëse nuk shfrytëzon rastet, do të kesh probleme në prapavijë. Gjendja e Latifit? Është i dëmtuar në kavilje, do të shohim si do të jetë në ditët në vijim. Fitorja na dha tre pikë, sepse rrezikonim edhe të humbisnim ndeshjen. Duhet të jemi të kujdesshëm, por në zonën kundërshtare duhet të jemi më cinikë”, ka deklaruar Mirel Josa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/