Shkëndija e Tetovës ka shpartalluar ekipin e Makedoniaj GP me rezultatin 5-1. Pas fitores në transfertë kundër Vardarit, djemtë e Osmanit fituan lehtësisht ndeshjen e sotme në shtëpi. I zakonshmi Besart Ibrahimi dhe Valmir Nafiu me nga një dygolësh dhe mbrojtësi Visar Musliu ishin autorët e golave, që e ngjisin Shkëndijën në kuotën e 22 pikëve, dy më pak se kryesuesit e Vardarit.
Këta të fundit u ndalën në shtëpi nga Renova në një barazim pa gola. Një lajm i mirë për kuqezinjtë e Tetovës, të cilët kanë rikuperuar pesë pikë në dy javët e fundit me kryesuesit e Vardarit.
Ekipi tjetër shqiptar i Shkupit ka dalë pa pikë nga transferta me Pobedën. Vendasit fituan 2-0 me golat e Nuabuezës dhe Tanushev, ndërkohë që Shkupi vazhdon të renditet në vendin e fundit, me 11 pikë dhe vetëm dy fitore pas 11-të javëve të para të kampionatit.
Pobeda-Shkupi 2-0
Shënues: (Nuabueze 39’, Tanushev 68’)
Shkëndija-Makedonija GP 5-1
Shënues: (Musliu 42’, Ibraimi 45+1’, 72’, Nafiu 86’, 92′ / Kirovksi 69’)
Vardar-Renova 0-0