RENDITJA | Partizani nis arratinë, Teuta me hap kampioni

Java e 15-të solli rezultate interesante, por edhe surpriza. Pa diskutim që vëmendja është te kreu i klasifikimit, me Partizanin që tani e sheh Skënderbeun 4 pikë pas dhe Teutën 6 pikë larg. Suksesi me përmbysje në derbi bëri që “demat” të konsolidonin pozitat e tyre në vendin e parë dhe në një farë mënyre të shohin të qetë ndeshjen e radhës.

Bardheblutë edhe një herë treguan se nuk u mbajnë gjunjët deri në fund, pasi edhe pse e gjetën rrugën e rrjetës të parët u ndëshkuan dy herë, nga pakujdesitë e zakonshme në mbrojtje. Situata ndërlikohet për 24 herë kampionët e vendit, të cilët do të kenë luftë të fortë për të mos rënë nga kategoria.

Skënderbeu la pikë në Korçë, me Teutën që vijon të shkëlqejë dhe tani ka regjistruar fitoren e 6 në 8 ndeshje, duke mos pësuar asnjë humbje. Durrsakët janë forca e tretë e kampionatit. Oreksi vjen duke ngrënë dhe javën e ardhshme do të përballen me Partizanin. Nëse arrijnë një sukses edhe me kryesuesit, askush nuk mund të thotë se nuk mund të pretendojnë për titull.

Korçarët në krahun tjetër edhe pse dominuan nuk e çanë dot “digën” durrsake. Edhe pse mendojnë për të arritur Partizanin, “Ujqëritt e dëborës” ndjejnë presionin e ndjekësve që tashmë janë shumë pranë. Teuta luajti me 10 lojtarë për më shumë se 45 minuta, por ky superioritet numerik nuk u shfrytëzua nga lojtarë e Shehit.

Kukësi ruan ritmin e Partizani dhe mjaftohet me një gol në fund në Gjirokastër. Skuadra e Cungut vuajti edhe pse kundërshtari luajti me 10 lojtarë për gati gjithë pjesën e dytë. Verilindorët morën pikët e plota para ndeshjeve me Partizanin dhe Skënderbeun, që mund të vendosin shumë për fatin e tyre.

Luftëtari i Mezanit bëri sa mundi, por një shpërqendrim i vogël i kushtoi shtrenjtë. Bluzinjtë dolën duarbosh në shtëpi, por të paktën ruajnë pozitën e tyre në klasifikim. Loja e gjirokastriteve bind, por rëndësi kanë pikët.

Befasi në rezultate dhuruan dhe dy sfidat e fundit të javës së 15-të. Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në shtëpi kundër Kamzës. Një fitore e mundshme do i ngjiste laçianët në vendin e tretë me Teutën, ndërsa tashmë renditën në vendin e pestë me 26 pikë. Partizani është larg, ndërsa Skënderbeu, Teuta dhe Kukësi janë afër. Respektivisht 4, 2 dhe 1 pikë më shumë se bardhezinjtë.

Pikë shprese për Kamzën e Gjokës, që doli e pamposhtur nga një transfertë aspak e thjeshtë. Miqtë vinin nga katër humbje rresht dhe në Laç treguan se do të luftojnë deri në fund për qëndrimin në kategori. Ndeshja e radhës është finale për ta. Luhet Kamza-Luftëtari dhe vendasit nuk kanë asnjë alternativë përveç fitores.

U mendua se Kastrioti do të “zhytej” në vendin e fundit, por kampionati është i gjatë dhe krutanët po reagojnë. Javën e kaluar ishin pranë marrjes së një pike me Laçin, ndërsa sot fituan përballë një Flamurtari të fortë. Ulja e Nicës në stol po jep frytet e veta. Ai është nga ata tipa, të cilët nuk dorëzohen kurrë dhe goli i Henri ka dërguar Kastriotin në vendin e parafundit. 10 pikë të grumbulluara dhe mbijetesa është vetëm një pikë larg.

Flamurtari gjithmonë i njëjti. Spektakolar në disa ndeshje dhe i brishtë e pa pikë force në disa të tjera. Vazhdimësia është një problem i vjetër në kampin vlonjat, ndërsa përballë Kastriotit e merituan humbjen.  Kuqezinjtë mbajnë vendin e gjashtë me 22 pikë, ndërsa ndeshja e radhës është kundër Laçit, një ekipi që në Vlorë ka marrë shpesh rezultat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *