Benevento është ngjitur këtë sezon në Serinë A, por sikur ta dinte si do shkonin punët, nuk do ngjitej fare. Deri tani, skuadra e Ledian Memushajt dhe Berat Gjimshitit i ka humbur 12 ndeshjet që ka luajtur në Serinë A, duke mos marrë asnjë pikë në sezonin e ri, 0.
Zona e mbijetesës është 8 pikë larg, ndërsa Benevento ka barazuar një rekord të vendosur 87 vite më parë, nga Mançester Junajtid.
Në sezonin 1930/31 “Djajtë e Kuq” nuk ishin superfuqia që do të bëheshin më vonë dhe i humbën 12 ndeshjet e para të sezonit.
Junajtid, që ra nga kategoria atë vit, fitoi ndeshjen e 13-të, ndërsa tani atë rekord mund ta thyejë Benevento, kur të përballet me Sasuolon pas ndërprerjes së kampionatit. Beneventon e thërrasin me nofkën “shtrigat”, por tani vetëm një magji i mban në Serinë A.